Një punonjëse shëndetësore në Kazakistan duke shënuar mbi një mostër të testit ndaj COVID-19.

Zbulimi i falsifikimeve - Policia kufitare e Kroacisë kërkoi nga IKShPK të verifikojë disa teste që dyshohej se ishin falsifikuar

Tre raste janë identifikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e të cilat janë raportuar edhe në Policinë e Kosovës për falsifikime të testeve PCR për COVID-19.

Pasi u ndaluan testet PCR të IKShPK-së të përdoreshin për udhëtime jashtë vendit, mënyra për t’u falsifikuar ato nga qytetarë të ndryshëm u rrit dukshëm.

Policia e Kosovës është duke hetuar disa raste të falsifikimeve të testeve që kanë të bëjnë me COVID-19 ndërsa laboratorët presin që rastet të zgjidhen nga autoritetet pasi është dëmtuar edhe imazhi i tyre.

Drejtori i laboratorit të IKShPK-së, Xhevat Jakupi, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” tregoi ekskluzivisht njërën nga rastet më interesante që kishin identifikuar e që kishte të bënte me falsifikimin e testeve PCR kinse të lëshuara nga Instituti.

“Kemi pasur thirrje dy herë nga Policia e kufirit me Kroacinë të cilët kanë pasur një grumbull të rezultateve laboratorike nga Kosova dhe kanë pasur dëshirë të konfirmojnë se cilat janë rezultatet e vërteta të lëshuara nga institucionet e Kosovës dhe cilat janë të falsifikuara. Kemi vazhduar komunikimin zyrtar na kanë dërgu të gjitha testet dhe aty e kemi pa që gjysma kanë qenë të falsifikuara”, tregon drejtori Jakupi, i cili shton se edhe në këtë rast kanë njoftuar organet e rendit dhe u kanë treguar dallimet mes testeve reale të Institutit dhe ato të cilat janë falsifikuar nga qytetarët.

Tutje drejtori i laboratorit të IKSHPK-së dha detaje edhe për dy raste të tjera të cilat janë identifikuar muajt e fundit ku qytetarët kanë falsifikuar testet e Institutit.

“I kemi zbuluar sepse në një rast ka qenë Policia vetë që na është drejtu me një shkresë zyrtare për të verifikuar një rezultat se a është lëshuar nga IKSHPK apo jo dhe rasti tjetër ka qenë kur një punëtore e jona e cila punon edhe në një laborator privat dhe gjatë punës në laborator e ka vërejtur se rezultatin që ja ka prezantu pala ka qenë i falsifikuar me logo të IKSHPK dhe më pas ajo na ka lajmëru ne e ne e kemi lajmëruar Policinë”, tha tutje Jakupi.

Ai shpjegoi edhe se mënyra e falsifikimit ani pse është kryer profesionalisht, dallon në disa pika me testet e vërteta që lëshon IKSHPK.

“Çdo test që e lëshojmë e ka një numër unik të kodit dhe ai për disa minuta mund të verifikohet në data-bazën tonë elektronike se a është ai pacient në atë kod, kemi vërejtur që ka dallime në vulë, është falsifikuar nënshkrimi, secili person që punon këtu në laborator e ka nënshkrimin e tij elektronik dhe ka shumë raste që këto veprime të vërtetohen edhe në bazë të nënshkrimeve”, tregon tutje drejtori i laboratorit të Institutit.

Drejtori Xhevat Jakupi përmendi edhe faktin se kanë dëgjuar më parë se po falsifikoheshin rezultatet e IKSHPK-së nga ana e qytetarëve por nuk kanë pasur dëshmi për të vërtetuar diçka të tillë.

Përafërsisht 1 deri në dy muaj që i kemi raportu. Më herët kemi dëgjuar thashetheme por rast të dokumentuar nuk kemi pasur.

Jakupi tha edhe se ka laborantë të IKSHPK-së që punojnë edhe në laboratorë private, madje njëri nga ta kishte zbuluar një rast ku kishte identifikuar se testi ishte falsifikuar.

Në intervistën e kaluar të cilën “Kallxo Përnime” kishte zhvilluar me drejtorin e IKSHPK-së Naser Ramadani, ky i fundit kishte rekomanduar që për vendimin e ndalimit të përdorimit të testeve për udhëtime jashtë vendit të pyetet drejtori i laboratorit Xhevat Jakupi pasi ishte nënshkrues i vendimit.

Jakupi tha se ndalimi i shfrytëzimit të rezultateve për qëllime udhëtimi jashtë vendit mbingarkoi sistemin e punës në IKSHPK dhe nuk arrinin që t’i testonin personat që kishin simptoma epidemiologjike.

“Po e jap një shembull konkret të Shëndetit Publik Rajonal të Gjilanit. Nga 400 testime në ditë që kanë kryer diku 300 kanë qenë për qëllime jashtë vendit që ka qenë ngarkesë e madhe dhe grupet e popullatës që është dashtë me i testu pacientët dhe kontaktet dhe të gjitha rastet tjera me indikacione epidemiologjike kanë shku në rend të dytë sepse i gjithë personeli është detyru me punu edhe jashtë orarit të punës që udhëtarët të kenë rezultate brenda afatit kohor që me i pas rezultatet për me zënë aeroplanin apo autobusin ose me u nis për vende të jashtme. Kjo ka detyru personelin shëndetësor me ndërru të gjithë kahjen e punës dhe mos me punu  në atë që është prioritet”, tregoi Jakupi.

Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se deri më tani janë duke hetuar pesë raste që ndërlidhen me falsifikimin e testeve të COVID-19.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (DHKEK) pranë Policisë së Kosovës, bazuar në informacionet dhe autorizimet policore ka trajtuar gjithsejtë pesë (5) raste të kësaj natyre, që ndërlidhen me  keqpërdorimet e dyshuara për COVID 19.

Të gjitha hetimet dhe veprimet policore janë realizuar konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ku deri më tani, për  një rast është ngritur Kallëzim Penal,  për një rast tjetër është  dërguar raport në Prokurori për veprimet e Policisë dhe tri raste janë nën hetime”, thuhet në përgjigjen e Policisë për KALLXO.com.