Çka duhet të dini për variantin Delta? (FOTO)

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO) ka dhënë disa informacione të cilat qytetarët duhet t’i dinë për variantin Delta të COVID-19.

Sipas IKShPK-së, Delta është dyfish më infektues sesa lloji fillestar i COVID-19 dhe rreth 50% më infektues sesa variantet e tjera shqetësuese të cilat janë zbuluar.

Tutje në njoftimin e publikuar, IKShPK-ja sqaruar se asnjë vaksinë nuk është 100% efektive, dhe qytetarët mund të infektohen dhe t’i infektojnë të tjerët edhe nëse janë vaksinuar.

Dëshmitë e reja, sipas IKShPK-së tregojnë se edhe njerëzit që kanë qenë të infektuar më parë, mund të jenë në rrezik të shtuar të riinfektimit me variantin Delta në krahasim me variantin Alpha.

Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se vaksinat e miratuara të cilat janë në dispozicion, bazuar në të dhënat aktuale janë efektive ndaj varianteve të COVID-19. Njerëzit që i kanë marrë dozat e kërkuara kanë më pak gjasa të përballen me sëmundje të rënda ose të vdesin.

Po ashtu njerëzit e infektuar me Delta mund të kenë rrezik më të lartë për zhvillimin e simptomave që kërkojnë hospitalizim.

Në Kosovë në 24 orët e fundit janë shënuar 20 raste të vdekjes nga COVID-19 ndërsa janë infektuar 932 nga COVID-19.