Ilustrim. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një mësimdhënës në Suharekë rezulton pozitiv me COVID-19

Një mësimdhënës në një shkollë të komunës së Suharekës ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Rastin për KALLXO.com e ka bërë të ditur Drejtoresha Komunale e Shëndetësisë, Besa Kuqi.

“Kemi një rast në fshatin Bllacë, është mësimdhënës dhe ka rezultuar pozitiv, gjendja e tij është stabile kemi gjurmuar edhe kontaktet tjera”, tha Kuqi.

Faza e parë e mësimit nëpër shkolla ka filluar më 14 shtator ndërsa faza e dytë ka filluar më 21 shtator.

Për shkak të pandemisë me COVID-19 më 12 mars të gjitha shkollat në nivel vendi janë mbyllur, ndërsa më 23 mars mësimi filloi të zhvillohet përmes platformave online.

Në nivel vendi tash e gjashtë muaj janë infektuar 15 mijë 270 persona, prej tyre 12 mijë e 900 janë shëruar ndërsa 616 kanë vdekur.