Një grua sulmohet nga ujqërit në një park afër Parisit

Një grua ndodhet në kujdes intensiv pasi u sulmua nga ujqërit teksa vraponte në një park kafshësh në afërsi të Parisit, raporton BBC.

Siç raportohet viktima 36-vjeçare u sulmua sot në parkun “Thoiry”, më 23.06.2024, nga tre ujqër dhe pësoi kafshime të rënda në qafë, shpinë dhe një këmbë.

“Thoiry” gjendet rreth 40 kilometra në perëndim të Parisit dhe është një nga parqet më të njohura të kafshëve të egra në Francë.

BBC raporton se rreth 800 kafshë që mbahen atje lejohen të bredhin të lirë, ndërsa vizitorët i shikojnë nga siguria e automjeteve.

Parku ofron strehim pranë rrethimeve të ujqërve dhe arinjve, me zonën e shtëpizës së mbrojtur nga gardhe elektrike dhe kanale.

Nuk është e qartë pse gruaja hyri në zonën që është vetëm për makina. Autoritetet e parkut nuk kanë bërë asnjë koment deri më tani.

“Ne nuk e dimë në këtë fazë nëse mysafiri ka bërë një gabim apo nëse ka pasur ndonjë problem me tabelat” – tha një burim i policisë pa emër për gazetën Le Parisien.

Gruaja u shpëtua pasi punonjësit e parkut dëgjuan britmat e saj ndërsa po sulmohej dhe u dërgua në një spital aty pranë.

Një hetim është duke u zhvilluar.

Përgatiti: Shkodrane Dakaj