Nita Deda largohet nga ‘Dokufest’

Nita Deda ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës së Festivalit “Dokufest”. Lajmi për dorëheqjen e Dedës është bërë i ditur nga menaxhmenti i “Dokufetsit’, por edhe vetë Deda përmes rrjetit social Facebook.

Përmes një postimi në Facebook “Dokufest” përveç lajmit për dorëheqjen e Dedës nga “Dokufesti”, ka dhënë edhe një pasqyrë të kontributit që ka dhënë Deda në festivalin “Dokufest”.

Ndërsa, Nita Deda përmes një postimi në Facebook ka shkruar se largohet me përshtypjet më të mira.

“Faleminderit Dokufest për dekadën më të mirë të jetës sime dhe që më dhatë hapësirën për të rritur dhe për të mësuar. Mund të shënojë një fillim të ri të bukur për të dy ne”, ka shkruar Deda në Facebook.

Megjithatë Deda nuk ka dhënë arsyet e largimit nga “Dokufesti”.

Nita i është bashkuar “Dokufestit” në edicionin e vitit 2010 në pozitën e koordinatores së “DokuTv” për të vazhduar punën e saj në krye të Komunikimit dhe si Organizatore e “DokuNights” deri në vitin 2016, kur përveç këtyre detyrave mori përsipër detyrën e Drejtoreshës së Festivalit.

“Për një dekadë të tërë, Nita ka kontribuar në rritjen e vazhdueshme të festivalit si dhe sukseset në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Përgjatë drejtimit të festivalit nga Nita, “Dokufest” ka hulumtuar dhe adresuar tema të rëndësishme sociale e politike si Korrupsioni, E Ardhmja, Reflektimi, E Vërteta, të përkthyera në kampanja poetike ndërtuar mbi mesazhe të aktivizmit dhe rebelimit të cilat kanë rezonuar në publikun vendor dhe ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e “Dokufestit” për dorëheqjen e Dedës.

Po sipas “Dokufestit” programi i “DokuNights” i ko-kuruar nga Nita, përgjatë viteve solli në Kosovë një spektrum të gjerë të artistëve botërorë dhe vendorë, të cilat në skena të ndryshme të “DokuNights” kanë sjellë shprehjet më radikale artistike, interpretuar përmes mediumeve të reja eksperimentale apo atyre folklorike.