Ngritet padi kundër ish presidentit Donald Trump; pritet t’i dorëzohet autoriteteve amerikane javën e ardhshme

Avokati i sh presidentit Donald Trump ka deklaruar të enjten se i është thënë se ish-presidenti është paditur në Nju Jork me akuza që kanë të bëjnë me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për t’i heshtur pretendimet për një marrëdhënie seksuale jashtëmartesore.

Trump e ka sulmuar kryeprokurorin Bragg dhe demokratët në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas publikimit të lajmit, duke pretenduar se aktakuza përbën “persekutim politik”. “Unë besoj se kjo gjueti shtrigash do t’i rikthehet masivisht Joe Bidenit,” ka deklaruar Trump. “Lëvizja jonë dhe partia jonë – e bashkuar dhe e fortë – fillimisht do ta mposhtin Alvin Braggun dhe më pas ne do të mposhtim edhe Joe Bidenin”.

Kjo padi bëhet çështja e parë penale kundër një ish-presidenti të SHBA-së dhe një goditje ndaj përpjekjes së Trump për ta rimarrë presidencën në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Aktakuza e jurisë së madhe ndaj ish presidentit Trump, 76 vjeç, është një zhvillim i jashtëzakonshëm pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij biznesore, politike dhe personale. Ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se Trump gënjeu dhe mashtroi rrugën e tij drejt majës dhe t’i inkurajojë mbështetësit që mendojnë se republikani po targetohet padrejtësisht nga një prokuror demokrat.

Akuzat aktuale nuk dihen ende, mirëpo mediat amerikane raportojnë se ka më shumë se 30 sosh.

Prokurorët e Nju Jorkut janë ende duke i bashkërenduar marrëveshjet me ekipin e Trump, por ai do të duhet të udhëtojë nga Florida në Nju Jork për paraqitjen e tij të pritshme në gjykatë të martën.

Trump e ka kritikuar çështjen kundër tij, duke e quajtur atë “persekutim politik”

Republikanët, përfshirë rivalët e tij, janë rreshtuar rreth ish-presidentit të tyre, duke e mbrojtur atë dhe duke i sulmuar prokurorët.

Demokratët janë shprehur të matur në reagimin e tyre, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin./Euronews/BBC

Përgatiti: Nuhi Shala