Ilustrim

Ngjarje e rëndë në Malishevë, fëmijët ndalojnë babanë deri sa tentoi ta therte nënën e tyre

Fëmijët e kanë ndaluar babanë e tyre derisa ky i tentoi që me thikë ta therte nënën e tyre.

Rasti ka ndodhur në Malishevë mbrëmë, ndërsa është raportuar sot në mëngjes.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së rajonit të Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

I njëjti ka thënë për KALLXO.com se në orët e mbrëmjes së kaluar burri dhe gruaja fillimisht janë fjalosur mes vete ndërsa i dyshuari – burri kishte marrë një thikë dhe kishte tentuar ta vriste gruan e tij.

“Sot rreth orës 11:00, në stacionin policor në Malishevë ka ardhur ankuesja dhe ka deklaruar se ka dhunë të vazhdueshme nga burri i saj. Sipas saj, mbrëmë kishin pasur një fjalosje mes vete dhe i pandehuri kishte tentuar që të marrë një thikë dhe ta vrasë por kanë ndërhyrë fëmijët dhe e kanë ndaluar. Ankuesja pohon se burri e ka kanosur me vrasje, andaj duke u bazuar në të gjitha ato veprime të tij ajo ka ardhur për të kërkuar urdhër mbrojtje me largim nga shtepia dhe dërgim në shtëpi të sigurt, pasi që nuk ndihet e sigurt”, tha Xhurkaj për KALLXO.com.

Tutje Xhurkaj tha se i dyshuari është intervistuar dhe është dërguar në ndalim për 48 orë.

“E dëmtuara përmes Qendrës për Punë Sociale se bashku me tre femijët e saj të mitur dërgohet në shtëpinë e sigurt në Gjakovë deri në një vendim tjetër”, tha në fund Xhurkaj.