Ngërçi me Greqinë, Rama: Rasti Beleri s’mund të lidhet me bisedimet me BE-në

Në Tiranë, kryeministri Edi Rama përsëriti sot se përplasja me Greqinë për rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk ka të bëjë me kushtet që lidhen me procesin e bisedimeve për anëtarësimin në BE. Edhe takimi në Bruksel mes udhëheqësve të vendeve anëtare dhe atyre të Ballkanit perëndimor, ku kjo temë është ngritur nga kryeministrat e të dy vendeve, duket se nuk ka sjellë ndonjë ndryshim. Megjithatë zoti Rama tha sot se Shqipëria do të vijojë përgatitjet e saj për fazat e procesit, pavarësisht nëse kapërcehet apo jo ngërçi i krijuar.

Kryeministri shqiptar u pa mbrëmë të ishte i përfshirë në një bisedë të gjallë me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis, në përfundim të takimit të radhës në Bruksel mes Këshillit europian dhe drejtuesve të shteteve ballkanike. Zoti Rama nuk dha detaje për përmbajtjen e bisedës mes tyre duke u mjaftuar të thotë se biseda ka qenë shumë miqësore, e se mes tyre nuk ka asgjë personale, por secili ka opinionin e tij.

Në një konference shtypi sot në Tiranë, ai shpjegoi se gjatë takimit të Këshillit, kishte ngritur rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, arrestimi i të cilit u bë shkas për një reagim të ashpër të Greqisë, dhe ngritjen e barrierave nga ana e saj për avancimin e procesit të integrimit. “Kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh, që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa në takon si Shqipëri, ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë”, deklaroi zoti Rama.

Ai shtoi se eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale mes një vendi dhe një tjetri në tryezën e BE-së, sidomos kur bëhet fjalë për procesin e integrimit, kanë krijuar një ndjeshmëri të lartë edhe në gjirin e vetë Bashkimit europian, veçanërisht mes vendeve me peshë, “dhe nëse nuk do të gjendet një rrugë për të ndarë njëherë ë mire çështjet bilaterale nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshira nëpër këtë proces në rajonin tonë, mund ta parashikojmë pa vështirësi se sa probleme të tjera mund të nxjerrin rrugës mes njëra-tjetrës”

Greqia kërcënoi qartazi që në momentet e para, se do të pengonte rrugëtimin e Shqipërisë. Në fillim autoritetet greke, folën për shkelje të të drejtave të minoriteteve. Më pas e modifikuan terminologjinë e përdorur, për ta paraqitur kundërshtimin e tyre në nivel parimor, duke përmendur së fundmi mosrespektimin e shtetit të së drejtës.

Shqipëria pret të nisë bisedimet për grupkapitujt e parë, siç ka kërkuar Komisioni europian, dhe të gjitha vendet e tjera anëtare, përveç Greqisë. Por pavarësisht rrjedhës që do të marrë kjo çështje, qeveria shqiptare, siç u shpreh zoti Rama, do të vijojë punën për të qenë e përgatitur në momentin që gjithshka do të marrë zgjidhje: “Mbetem po i të njëjtës bindje se kapërcehet apo s’kapërcehet ky ngërç, Shqipëria praktikisht nuk vonohet asnjë ditë, jo muaj e vite sepse ndërkohë ne do të vazhdojmë dhe do të bëjmë detyrat tona”

Zoti Rama u gjend sot për herë të parë, përballë pyetjeve që lidhen me zhvillimet e reja nga hetimet për inceneratorin e Tiranës, pas 15 urdhër arresteve të firmosura nga Prokuroria e Posaçme. Por ai shmangu të jepte përgjigje të drejtpërdrejta për mënyrën se si avulluan miliona euro të përfunduara në xhepat e sipërmarrësve që kontrollonin inceneratorin, si dhe nuk dha asnjë shpjegim për faktin se qeveria e tij i dha në vitin 2016 bonus, kompanisë që ishte në bisedime me ministrin e Mjedisit, ndonëse ajo ishte e parregjistruar, dhe një fakt i tillë ishte bërë i ditur nga ministrja e Shtetit Ermonela Felaj./VOA