Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Ngacmuesi seksual dënohet me gjobë nga Gjykata e Mitrovicës

Sh. F., i akuzuar për ngacmim seksual, është dënuar me 500 euro gjobë nga Gjykata e shkallës së parë, pasi u gjet fajtor për veprën që ia ngarkonte Prokuroria.

Këtë vendim Gjykata e Mitrovicës e ka marrë më 30 maj të këtij viti.

Sipas dosjes së gjykatës, i pandehuri akuzohej se ka bërë ngacmim seksual ndaj të dëmtuarës K. J.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, me gjyqtaren e vetme gjykuese Benita Berisha, ka shqiptuar dënimin me gjobë prej 500 euro ndaj Sh. F. për veprën penale të ngacmimit seksual.

Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur më datën 01.09.2021 në Mitrovicë, ku i pandehuri Sh. F. seksualisht kishte ngacmuar personin tjetër dhe atë me sjellje të padëshiruar verbale që ka pasur për qëllim cenimin e dinjitetit të personit tjetër.

Sipas dosjes derisa viktima ishte duke ecur në këmbë, pranë të dëmtuarës K. J., ishte ndalë automjeti i të pandehurit Sh. F., me ngjyrë të kuqe dhe nga vendi i bashkudhëtarit i pandehuri Sh. F. e ka nxjerrë kokën përmes dritares.

I njëjti në gjuhen serbe iu është drejtuar të dëmtuarës me fjalët “Hmm Kavka si, kako bih te..” (“hmm, çfarë je, qysh t’ kisha…”) dhe pastaj kishte thënë diçka edhe në gjuhën shqipe.

Sipas dosjes i njëjti i ka treguar me gisht që t’i afrohet dhe të hyj në automjet dhe ka filluar të bëjë me gjeste të cilat aludojnë në seks oral, duke bërë lëvizje me duar, me gojë dhe gjuhë, gjë e cila ka shkaktuar frikë tek e dëmtuara.

Pas këtyre veprimeve të të pandehurit, e njëjta kishte filluar të qajë dhe të dridhej.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në ndihmë të dëmtuarës i doli një zjarrfikës i cili gjendej në afërsi të vendit të ngjarjes, e ku më pas i pandehuri largohet në drejtim të qytetit me automjet të cilin ishte duke e drejtuar një person tjetër.

Gjykata me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit me gjobë, vlerësoi të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në matjen e dënimit, duke konsideruar se dënimi i shqiptuar është dënim i drejtë dhe i ligjshëm dhe se është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.