Foto: Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, Facebook

Nga 500 euro për çdo lindje, Komuna e Rahovecit synon rritjen e lindjeve në QKMF

Premtimin për të dhënë nga 500 euro për secilën nënë që lind fëmijë në Rahovec, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi e plotësoi dje.

Nga ky muaj, çdo nënë që lind në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Fahredin Hoti” në Rahovec do të përfitojë 500 euro.

Këtë premtim, Latifi e kishte dhënë në emisionin Debat Përnime, në nëntor 2021, para se të merrte mandatin e dytë si kryetar.

“Për lindjet e reja do të rritet përkrahja financiare. E kemi 200 euro do të bëhet 500 euro në 4-vjeçarin e ardhshëm” – pati premtuar ai.

Ky vendim është marrë për të stimuluar nënat që të lindin në QKMF të Rahovecit, sipas shefit të kabinetit të kryetarit, Ali Morina.

Numri i lindjeve në këtë QKMF gjatë vitit të kaluar ka qenë 18.

“Duke e parë numrin e vogël të lindjeve në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare, në të cilën kushtet në repart janë jashtëzakonisht të mira, me staf të mjaftueshëm, ideja është që të fuqizohet ky repart dhe të stimulohen nënat me qëllim të nxitjes që lindjet t’i kryejnë në QKMF, në Rahovec” – tha Morina për KALLXO.com.

Në pyetjen se pse nuk subvencionohen edhe nënat e kësaj komune që lindin në spitale apo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai tha se kjo është e pamundur për shkak të buxhetit të vogël.

Kryetari Latifi njoftoi për këtë vendim, duke thënë se ka përmbushur një zotim publik të tij.