Dhuna në familje, pesë të arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Si rrjedhojë, Policia e Kosovës njofton se i ka arrestuar pesë persona.

Rastet e dhunës janë raportuar në qytete të ndryshme të Kosovës.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar më 27.05.2024 se një burrë kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 25.05.2024, ndërsa i dyshuari është në kërkim policor.

Një grua tjetër në Fushë Kosovë ka raportuar se ndaj saj është ushtruar dhunë psikike nga një burrë.

Policia njofton se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt. 

Kurse, në Gjakovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua tjetër.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 26.05.2024, rreth orës 22:00, ndërsa është raportuar më 27.05.2024.

E dyshuara në këtë rast është arrestuar, njofton Policia.

“E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin është dërguar-hospitalizuar në repartin e psikiatrisë” – thuhet në raportin e Policisë.

Në Rahovec, për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur më 26.05.2024, rreth orës 10:35, Policia njofton se e ka arrestuar të dyshuarën më 28.05.2024.

“Lidhur me rastin, me 28.05.2024 është arrestuar e dyshuara femër kosovare, dhe e njëjta me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje” – kanë njoftuar Policia.

Dhe në Klinë, Policia ka arrestuar tre persona nën dyshimin se kanë sulmuar dhe aksidentuar veturën-taxi, të cilën ishte duke e drejtuar një burrë dhe në të cilën ndodheshin edhe tre persona: dy burra dhe një grua.

Sipas Policisë, të dyshuarit në këtë rast po ashtu kishin sulmuar edhe fizikisht viktimat.

“Dyshohet se të dyshuarit kanë sulmuar edhe fizikisht viktimat dhe si pasojë viktima-drejtuesi i veturës ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të palëve, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje” – thuhet në raportimin e Policisë.