Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Nga 1 korriku nis renovimi i ndërtesës së Teatrit Kombëtar

Nga fillimi i muajt të ardhshëm ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovë do t’i nënshtrohet një renovimi të përgjithshëm.

Vendimi për renovim të kësaj ndërtese është marrë pas vlerësimit të ekspertëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë (FN) së Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, lidhur me gjendjen e objektit.

Më herët Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka angazhuar ekspertë nga FN së UP-së për të bërë vlerësimin e gjendjes aktuale të ndërtesës së TKK-së.

TKK, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se më 1 korrik 2022 nis renovimi i ndërtesës së TKK-së.

Aktivitetet artistike, sipas njoftimit TKK-ja do t’i vazhdojë në një lokacion tjetër, por, pa treguar ku.

“Gjendja faktike e sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës është alarmante dhe kjo e bën kërkesën për renovim edhe më urgjente. Po ashtu, ju njoftojmë se aktiviteti i përgjithshëm artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet”, thuhet në njoftim.

MKRS, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ndërhyrjet e deritashme renovuese të pjesshme, të paanalizuara mirë dhe të kryera me cilësi të dobët, e kanë sjellë ndërtesën e TKK-së në një gjendje të rënduar çfarë e kemi sot.

“Raporti i vlerësimit nga Fakulteti i Ndërtimtarisë ka vënë në pah se ndërhyrjet emergjente nuk janë të mjaftueshme për renovimin e Teatrit, prandaj është vendosur që të vazhdohet direkt me renovim të tërësishëm”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

MKRS nuk ka dhënë hollësi rreth renovimit dhe kostos financiare.

“Kthimi i ndërtesës së TKK-së në një gjendje që i përgjigjet kërkesave e nevojave thelbësore që një institucion teatror, mbetet prioritet i patejkalueshëm, që nuk do të kushtëzohet nga asnjë faktor qoftë ai buxhetor, teknik, logjistik apo administrativ”, ka thënë MKRS-ja.

Florim Grajçevci, derkan i FN të Ndërtimtarisë së UP-së, “Hasan Prishtina” ka thënë për KALLXO.com se tashmë MKRS-së i  janë dhënë rekomandimet se si të veprohet me objektin.

“Ekipet e profesionistëve së bashku me studentët kanë përfunduar draftin e gjendjes aktuale të objektit të TKK-së dhe janë dhënë rekomandimet se si të veprohet”, ka thënë dekani Grajçevci.

Grajçevci ka thënë se shërbimet që FN ofron për institucionet janë të natyrës profesionale, si: ekspertizat, analizave, shqyrtimeve dhe eventualisht propozimeve të nevojshme për rehabilitimin e objekteve.