Ilustrim: Trafiku rrugor në Prishtinë

Nesër Kosovën e viziton presidenti i Letonisë, Policia do të ndërpres qarkullimin në disa rrugë

Policia e Kosovës ka njoftuar se nesër do të ndërpritet qarkullimi në disa rrugë pasi për vizitë në Kosovë do të jetë Presidenti i Republikës së Letonisë, së bashku me një delegacion shoqërues.

Përgjatë kësaj vizite, Policia ka thënë se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Me qëllim të qarkullimit të lirë të eskortës nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta zyrtare”, ka njoftuar Policia.

Tutje është treguar se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante.

“Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në fund të këtij njoftimi.