Nënshkruhet marrëveshja, Izraeli i heq vizat për shtetasit e Kosovës

Kosova dhe Izraeli, më 18.06.2024, kanë nënshkruar marrëveshjen që ua mundëson shtetasve të Kosovës të lëvizin pa viza në Izrael.

Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë në Prishtinë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.

Nga MPJD, njoftuan se kjo marrëveshje hyn në fuqi nga data 19 shtator 2024.

Me këtë marrëveshje, Izraeli u bë shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.

Para nënshkrimit të marrëveshjes, Gërvalla dhe Arbel zhvilluan një takim të mbyllur për media.

Ministri izraelit u takua gjatë ditës edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa në ora 18:00, Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, organizon shënimin e Ditës së Pavarësisë së Izraelit dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për shtetasit kosovarë.

Nga 1 janari qytetarët e Kosovës nisën lëvizjen e lirë në 27 shtetet e zonës Schengen me pasaporta biometrike, me kushtin që të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh. Më 6 janar këtyre shteteve iu bashkua Spanja, për t’u pasuar më vonë edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Njohja nga Izraeli ka qenë një ndër pikat e marrëveshjes së Uashingtonit më 7 shtator të vitit 2020.

Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parashihte që Kosova të hapte ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizte ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Kosova dhe Izraeli kanë vendosur raporte diplomatike në shkurt të vitit 2021.