Nënkryetari i Gjilanit thotë se nuk asnjë të infektuar me coronavirus

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka treguar se kjo komunë nuk ka asnjë të prekur me koronavirus.

“Deri më tani nuk e kemi asnjë rast të prekur me Covid19. Masat e Komunës së Gjilanit janë të vazhdueshme, ku sot në bashkëpunim me kompanitë private është bërë dezinfektimi i rrugëve dhe trotuareve, është përfunduar tashmë dezinfektimi i të gjitha objekteve publike të Komunës dhe atyre shëndetësore, duke përfshirë edhe institucione të tjera në nivelin lokal”, tha Ismajli gjatë një vizite në QKMF dhe Insitutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Sipas një njoftimi për media,Ismajli ka potencuar gjithashtu se rekomandimet e komisionit për emergjencë dhe vendimet e kryetarit, Lutfi Haziri janë duke u respektuar në përpikëri në terren, sa i përket masave mbrojtëse për parandalim të virusit Covid 19.

“Prandaj,  duke u bazuar në institucionet e shtetit që janë duke punuar vazhdimisht dhe me theks të veçantë kundër koronavirusit, njoftohen të gjithë qytetarët se nuk ka vend për shqetësim, por vetëm për kujdes dhe qëndrim në shtëpi”, ka thënë ai.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që shëtitjet, takimet familjare dhe shoqërore të evitohen deri sa të kaloj kjo masë me të cilën po ballafaqohet vendi.

Kurse, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë sot që është vetizoluar për shkak që të premten ka qenë në një ndejë në të cilin ka qenë edhe një këngëtar i cili dje rezultoi pozitiv ndaj coronavirusit.

Vetizolohet kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus. Ndërsa, dje u konfirmuan dy rastet e para nga Gjakova.