Në vikend u raportuan katër raste të dhunës në familje

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë vikendit të kaluar. Në dy raste gratë janë viktima të dhunës në familje ndërsa në dy raste të tjera po dyshohet se pas mosmarrëveshjeve mes familjarëve ka pasur dhunë fizike.

Policia e Kosovës në raportin ditor nuk ka specifikuar lidhjen familjare mes të dyshuarve dhe viktimave por rastet i ka iniciuar si dhunë në familje.

Në Podujevë dy natë më parë një grua ishte rrahur nga një familjar i saj. Arrestimi i të dyshuarit u bë gjatë ditës së djeshme. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë po dyshohet një grua se ka sulmuar fizikisht një burrë. Fillimisht kishte qenë gruaja që kishte raportuar sulmin ndërsa më pas e njëjta është cilësuar si e dyshuar sipas policisë.

“Ankuesja ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Ankuesja dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, derisa ankuesja, tani po ashtu e dyshuar, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.

Edhe në Komunën e Gllogocit, po dyshohet për një përleshje mes dy familjareve.

Sipas policisë, një grua dhe një burrë janë përleshur fizikisht mes vete pas një mosmarrëveshjeje.

Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit e dyshuara lirohet, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje

Në Suharekë po dyshohet se një burrë rrahur një grua. Ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme më saktësisht rreth orës 3 e 10 të mëngjesit.

Gruaja ka pranuar tretman mjekësor ndërsa burri është arrestuar.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.