Në Teatrin Kombëtar u dha shfaqja e baletit “REVA & Wabi-Sabi” nga Italia

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës sonte u dha shfaqja e baletit “REVA & Wabi-Sabi” nga Italia.

Kjo ngjarje është shënuar në kuadër të edicionit të 16-të të “Albania Dance Meeting-Festival”.

Mysafir në këtë shfaqje ishte edhe ambasadori Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

Ndërsa, koreografe është Sofia Nappi nga kompania italiane KOMOCO.

Sipas organizatorëve prezantimi i kësaj shfaqjeje në Prishtinë dëshmon që Kosova nuk po përjashtohet nga arena ndërkombëtare.

Interesimi i qytetarëve për të përcjellë këtë interpretim baleti ishte mjaft i madh.

Një nga pjesëmarrëset u shpreh se organizime të tilla duhet të ndodhin më shumë në Kosovë, sepse kjo do u ndihmonte edhe më shumë artistëve.

“Arsyeja se pse kam ardhë është për me marrë inspirim, e inspirimin me e kthy në art”, ka thënë Albiona Berisha.

Po ashtu, sipas studentes së Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, këto shfaqje përcjellin një emocion shumë të veçantë, sepse ato të sjellin një botë imagjinare që të shërben në art.

Ndërsa koreografi Driton Saqipi, i cili është edhe koordinator i ‘Albania Dance Meeting-Festival’, e falenderoi koreografin dhe drejtorin artistik të këtij festivali, Gjergj Prevazi.

“Drejtori artistik i këtij festivali, Gjergj Prevazi që për 7 vite në programin e tij artistik ka përfshirë përveç Tiranës edhe Prishtinën, duke sjellur shfaqje të ‘dancit contemporan’ nga koreografë evropian me karrierë të shkëlqyer. Dhe për këtë ne i jemi shumë falënderues”, tha Saqipi.

“Kërcimtarët italian ishin si teknikisht, ashtu edhe profesionalisht në nivel mjaftë të lartë, dhe ne jemi shumë falënderues për performancën e tyre”, tha koordinatori për Kosovë Driton Saqipi.