Sokol Plakolli: Fotografi: KALLXO.com

Pas një muaji grevë “artisti në thes të bërllokut” pezullon grevën, pretendon që ka gjetur shkelje të reja në Teatrin Kombëtar

Pas një muaj e tre ditësh grevë para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kandidati për udhëheqës artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Sokol Plakolli ka pezulluar grevën.

Ai thotë se ka arritur të sigurojë disa nga dokumentet për të cilat grevon për pesë vite.

Plakolli i cili grevonte për parregullësitë që pretendonte që kanë ndodhur përgjatë viteve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, thotë se ka arritur të sigurojë skanimet e dokumentacionit të parregullsive në Teatër të cilin e kishte kërkuar me vite.

Sipas tij këto parregullsi fillojnë nga nxjerrja e Teatrit Kombëtar nga Konventa Europiane e Teatrit, mungesa e nënshkrimeve e vulës në vendimet e Këshillit Drejtues të Teatrit gjatë viteve 2015-2016,  e deri tek zvarritja e zgjedhjes së udhëheqësit të këtij institucioni kulturor.

“Skanimin e dokumenteve të Këshillit Drejtues të Teatrit ka pesë vite që e kërkoj. E për këtë kërkesë mua deri vonë më është ndaluar edhe të hyjë në Teatër. Por, së fundmi me 23 qershor më është lejuar qasja pas ndërhyrjes së ministrit Hajrulla Çeku”, tha Plakolli gjatë një konference për media.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar gjatë viteve 2015-2016, Jeton Neziraj është kontaktuar nga KALLXO.com në lidhje me këto akuza, por i njëjti nuk ka pranuar t’i komentoj, këto akuza.

Plakolli pretendon që Teatri është nxjerrur nga Konventa në vitin 2015 nga Këshilli Drejtues, për t’i lënë hapësirë vetes të manipulojnë brenda institucionit.

Sipas tij, këtë dokumentacion të vendimeve të Këshillit të Teatrit Kombëtar, e të cilin e konsideron si të domosdoshëm që Prokuroria të marrë masa.

Madje ai ka paralajmëruar edhe kallëzim penal.

“Këto dokumente as në Ministri nuk kanë ekzistuar, por vetëm në Teatër. Tash është mirë që janë publike se nuk kanë mundësi të falsifikohen”, tha tutje Plakolli.

Sokol Plakolli ka mbajtur grevë urie para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke kundërshtuar anulimin e konkursit për udhëheqës artistik të TKK-së.