Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Objekt i ri apo renovim i objektit aktual? Dilema e Qeverisë për Teatrin Kombëtar pas planifikimit të buxhetit

Në projektbuxhetin e Qeverisë së Kosovës për 2022 janë ndarë 200 mijë euro projektin e “Teatri i ri Kombëtar”.

Mirëpo, ndonëse është emëruar si “Teatri i Ri Kombëtar”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë deklaruar se ende nuk e dinë nëse do të ndërtohet një teatër i ri apo do të investohet në teatrin aktual.

Në një përgjigje për KALLXO.com, MKRS kanë thënë se vendim për këtë do të merret pasi që objektit të teatrit aktual kombëtar t’i bëhet një studim i fizibilitetit.

Në projektligji për buxhetin për 2022, figuron shuma prej 200 mijë eurove që MKRS planifikon të ndajë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Aq mjete parashihen edhe për dy vitet e tjera pasuese, 2023 dhe 2024. Ndërsa shuma totale sipas planifikimeve të MKRS për tri vetë për këtë projekt do të jetë 600 mijë euro.

Zyrtarë të ministrisë janë treguar të rezervuar rreth planeve për ndërtimin e objektit të Teatrit të ri Kombëtar.

Në anën tjetër regjisorët që kanë punuar në TKK dhe ish- drejtues të këtij teatri, kanë thënë për KALLXO.com se ka shumë nevojë për ndërtimin e një objekti të ri për Teatrin Kombëtar.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Hajrulla Çeku tha për KALLXO.com se vetëm pas një studimit të fizibilitetit që do t‘i bëhet objektit aktual të Teatrit Kombëtar, do të vendoset nëse do të ketë objekt të ri apo jo.

“Pas studimit të fizibilitetit që i bëhet objektit aktual të Teatrit Kombëtar, vendoset nëse do të ketë objekt të ri apo jo”, tha Fetiu.

Ajo nuk ka treguar nëse MKRS ka sigurua lokacioni se ku është paraparë ndërtimi i objektit të ri.

Regjisori Ben Apolloni ka thënë për KALLXO.com se Teatrit Kombëtar të Kosovës i duhet një objekt i ri.

Ai ka thënë se objekti aktual duhet ruhet si monument me vlera të veçanta.

“Objekti aktual ka shumë probleme dhe ka nevojë për renovime urgjente, por që kurrsesi nuk është i përshtatshëm për objekt të Teatrit Kombëtar. Ai objekt duhet të renovohet, të ruhet gjithsesi, sepse ka një traditë mjaft të gjatë, por një objekt i ri për Teatër Kombëtar është i domosdoshëm për zhvillimin e krijimtarisë teatrore në vendin tonë”, ka thënë Apolloni.

Edhe regjisori Jeton Ahmetaj ka thënë për KALLXO.com se vendit i duhet një teatër me infrastrukturë moderne.

“Pa një teatër me standarde të kohës nuk mund të presim zhvillim të teatrit, sepse me një objekt të ri do të shtoheshin edhe ambiciet për krijimtari më të avancuar teatrore. Teatri aktual Kombëtar, jo që nuk i plotëson kriteret minimale infrastrukturore, por edhe menaxhohet keq”, ka thënë Ahmetaj.

KALLXO.com nuk ka mundur të marrë prononcim nga ushtruesi aktual i drejtorit të TKK-së, Naser Shatrolli, lidhur planifikimet e ministrisë për ndërtimin e një Teatrit të ri Kombëtar.