Në mesin e protestuesve në veri ka edhe ish-policë që kanë dhënë dorëheqje në nëntor

Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahmeti, ka thënë se në mesin e protestuesve në veri janë parë edhe ish-policë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022.

Ajo ka thënë se ata funksionojnë në grupe.

“Nëse i sheh qysh duken e sheh që ata funksionojnë si grup, për shkak të veshjes së tyre, për shkak të forcës të cilën e përdorin. Ne gjatë kohës sa kemi qenë atje e kemi pa që ka edhe ish-policë që kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar”- ka thënë Ahmeti.

Gazetarja e cila ka raportuar sot nga komuna e Leposaviqit, ka deklaruar se këta persona janë vështirë të identifikueshëm për shkak të veshjes së tyre.

“Është e vështirë me i identifiku për shkak se kanë pothuajse të njëjtën uniformë. Ata vijnë të koordinuar me njëri – tjetrin. Janë të veshur zi ose në ngjyrë të gjelbër. Vijnë na shtyjnë, na thonë ndonjë fjalë, shkojnë e pastaj vijnë të tjerët”- ka thënë ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahmeti, ka rrëfyer se çka ka ndodhur sot në komunën e Leposaviqit.

Ajo ka thënë se ekipet e mediave në vazhdimësi sot gjatë ditës janë sulmuar nga persona të maskuar derisa ishin duke raportuar nga vendi i ngjarjes.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.

Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.