“Ne jemi të gjithë njerëz”: Një shqiptar i Kosovës ndihmon një plakë serbe

Një pasdite në fund të dhjetorit Vlladica Diçiç  93 u bë banorja e fundit që la shtëpinë e vjetër në Vaganesh, komunën veriperëndimore të Kosovës, Kamenicë duke e kthyer në fantazmë edhe një fshat që dikur ishte i banuar me popullatë të përzier serbe e shqiptare, si shumë të tjerë në vend.

Diçiç, një serbe e Kosovës,  është nënë e pesë fëmijëve, katër prej të cilëve në vitet e hershme ishin larguar për në Serbi, në kërkim të një jete më të mirë. Ajo mbeti vetëm kur djali i saj i vogël u zhvendos nga fshati për të jetuar në qytetin e Kamenicës.

Kur katër fqinjët e saj të fundit ishin larguar gati pesë vite më parë  nga fshati ajo kishte refuzuar të linte jetën e saj pastorale.

Derisa sëmundja dhe mosha zvogëluan lëvizjen e saj, një shqiptar i Kosovës nga fshati fqinj Strezovc, Fadil Rama, nisi ta ndihmojë  dhe të kujdeset për të, duke i sjellë asaj ushqim dhe gjëra të tjera të domosdoshme.

“Djali i saj i vogël nuk mund të shkonte sepse nuk kishte kushte dhe gruan e kishte të paralizuar dhe ai mu lut të kujdesesha për të. Unë ia dhashë fjalën”, tregon Rama për BIRN në shtëpinë në Kamenicë ku tani Vlladica jeton me të birin e saj.

Tani Diçiç pothuajse nuk lëviz më përtej shtratit të saj, por vizitat e Ramës që vazhdon të ndihmojë  këtë familje sjellin buzëqeshje në fytyrën e saj. “ Ky është djali im i tretë,”  thotë ajo.

Derisa  ngrihet me vështirësi nga shtrati me trupin e imët që i dridhet ajo  puth dorën e Ramës dhe bekon atë.

Vizitat e Ramës dhe ndihma që ai vazhdon t’i ofrojë familjes Diçiç janë një urë ende e rrallë mes banorëve serbë e shqiptarë në Kosovë, raportet e të cilëve u përkeqësuan para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe armiqësitë  u bënë pothuajse të pariparueshme gjatë luftës së viteve  1998-1999 Kosovë.

I biri i saj Sllobodan Diçiç 60 thotë se derisa kanë jetuar në  një vend pothuajse të izoluar në raportet me fqinjët rrallë e kanë ndjerë përkatësinë etnike.

“Lufta nuk na armiqësoi, por na ndau dhe na bëri më të vetmuar sepse njerëzit ikën duke kërkuar kushte më të mira, sepse nuk donin të merreshin më me bagëti e kullosa”,  thotë ai.

Kur mbaroi lufta, shumica e familjeve serbe e shqiptare në këtë brez kufitar me Serbinë  që deri atëherë kishin jetuar në fqinjësi të mirë lanë fshatin. Disa nga ata zbritën poshtë në qytet ndërsa të tjerët jashtë Kosovës.

 “Ai vazhdoi të vinte këtu nëpër dëborë”

Sllobodan Diçiç, djali i Vlladica Diçiç, në shtëpinë e tij në Kamenicë. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Në shtëpinë e Diçiçve  në Kamenicë  nuk është e pazakontë të flitet shqip, ngase  17 vite më herët i biri i saj u martua me shkuesi me një shqiptare nga veriu i Shqipërisë.

Leze Diçiç thotë se në fillim i kishin thënë se po e martonin me një shqiptar, dhe vetëm pasi mbërriti në Kosovë e kuptoi se i shoqi ishte serb. Por ajo thotë martesa e saj u lehtësua  edhe më shumë për faktin se nuk pati vështirësi të komunikonte sepse i shoqi kishte folur shqip që kur ishte fëmijë teksa rritej me të rinj shqiptarë.

Rama tregon se si fëmijë kishte luajtur me fëmijët e Vlladicës dhe ajo ishte kujdesur për ta. “ Ka edhe diçka që më ka shty ta ndihmojë. Unë kam ngrënë shpesh bukë nga duart e saj,” thotë ai.

Pavarësisht sëmundjes së saj, Vlladica mundohej të tregonte se e çmon ndihmën e Ramës. “Vinte nëpër borë kur as zogjtë nuk lëviznin”, thotë ajo.

Djali i saj,  Sllobodan  Diçiç  thotë se ndihma e Ramës për nënën e tij ka shty edhe disa familje tjera serbe e shqiptare që jetojnë në vende tjera që t’u ndihmojnë.  “Mbi të gjitha ne  jemi njerëz së pari”, thotë Diçiç.

Rama kujtoi se gjatë kohës së luftës, kur shqiptarët po linin shtëpitë e tyre në përpjekje  për t’i  shpëtuar fushatës së terrorit  të forcave serbe, burri i Vlladica Diçiç,  që në atë kohë ishte ende gjallë, u ofroi bukë fqinjëve të tyre që po bashkoheshin me kolonat e refugjatëve që largoheshin nga vendi.

Armiqësitë ndëretnike mes serbëve e shqiptarëve kanë vazhduar që nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të zbutur tensionet.

Megjithatë, fqinjët e Ramësh përkrahën ndihmën e tij për plakën serbe.

“Ne e mbështetëm atë për shkak të humanizmit të tij. Bamirësia nuk ka etni”, thotë fqinji i tij, Bekim Ademi.

Por, Rama gjithashtu ka pasur edhe mesazhe që qortonin atë për ndihmë serbëve,  duke ia kujtuar mizoritë e luftës dhe atë që kanë bërë  ushtria e policia serbe ndaj civilëve shqiptarë. “Fqinjët e mijë më kanë përkrahur,  por ka pasur shumë të tjerë që nuk u ka pëlqyer. Por kjo nuk më ka zmbrapsur,” thotë ai. BI