Në Izrael mbahen protesta antiqeveritare, marrin pjesë edhe familjarë të pengjeve të mbajtura nga Hamasi

Familjarë të pengjeve kanë marrë pjesë në protesta të reja antiqeveritare në disa qytete anembanë Izraelit të shtunën me 11.05.2024, duke kërkuar lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura në Gaza.

Yael Adar, nëna e Tamir Adar, i cili u rrëmbye më 7 tetor dhe vdekja e tij u njoftua në janar, tha gjatë mitingut se “gjithçka që kërkojmë është të kthejmë Tamirin dhe të gjithë pengjet e vrarë për varrim, këtu në tokën që ata donin. Për t’i dhënë Tamirit varrimin që meriton, për të na dhënë një varr ku mund të jemi me kujtimin e tij” – raporton CNN.

Hagit Chen, nëna e Itay Chen , i cili u vra më 7 tetor gjatë sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, dhe eshtrat e Chen u dërguan në Gaza, tha se donte të varroste djalin e saj në paqe.

“Jam ftuar të marr pjesë në shumë ceremoni për Ditën e Përkujtimit të Izraelit, por e vetmja ceremoni në të cilën duhet të jem, me familjen time dhe me kujtimin e djalit tim, është një ceremoni që vendi nuk më ka mundësuar” –  tha Chen.

“Sa më shumë vuajtje mund të durojë dikush? I drejtohem kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu: Është koha që t’i ktheni të gjithë! Të gjallët për rehabilitim dhe të rënët për një varrim të respektueshëm e të përshtatshëm hebre” –  shtoi ajo.

Numri i pengjeve të marra më 7 tetor që besohet se janë lënë në Gaza është 128, ku 36 prej tyre mendohet se kanë vdekur.

Në ndërkohë, qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rafah pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit urdhëruan evakuimin.

CNN raporton se sulmet në qytetin jugor të Gazës vranë më shumë se 15 persona të shtunën, sipas zyrtarëve të spitalit.

Shumë prej atyre që largohen nga Rafah u thuhet të lëvizin në vende që tashmë janë të mbushura me njerëz të zhvendosur dhe që po përballen me një krizë humanitare gjithnjë e më të rëndë.

Qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rafah përpara ofensivës së paralajmëruar izraelite