Në 21-vjetorin e themelimit të AAK-së, Haradinaj: Në zgjedhjet komunale do të tregojmë që qytetari na beson

Në 21-vjetorin e themelimit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i saj, Ramush Haradinaj ka mbledhur disa të rinj, shumica e të cilëve 21-vjeçë për të bërë një shëtitje në natyrë. Disa prej këtyre të rinjve aderuan në AAK, në përvjetorin e 21-të të themelimit të kësaj partie.

Haradinaj, i vendosur para të rinjve që kishin veshur bluzë të njëjtë me të, me mbishkrimin 21 vjet, mbajti një fjalim para mediave.

I pari i AAK-së dha një paralajmërim për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit.

“Në zgjedhjet komunale që po vijnë ne do të tregojmë që qytetari na beson”, theksoi Haradinaj.

Ai numëroi disa procese për të cilat tha se mbajnë vulën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Vulën e Aleancës e ka edhe Ligji për Pagat i cili po mbahet peng edhe implementimi i Ligjit për kryeqytetin. Vulën e Aleancës e kanë edhe krijimi i dy ministrive, të Drejtësisë dhe Rendit Publik në vitin 2005. Ne nuk dialoguam me Serbinë, vendosëm vet për taksën, për reciprocitetin, mbrojtëm sovranitetin dhe ekonominë tonë. Ne nuk negociuam me Serbinë por vendosëm vet për Ushtrinë e Kosovës. Ne vendosëm vet për pavarësimin energjetik të Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se Aleanca dallon nga partitë tjera për faktin se jo vetëm i artikulon bukur interesat e Kosovës por edhe i realizon ato.

“Vulën e Aleancës e kanë shumë të arritura në Kosovë që nga liria, infrastruktura bazike, rifillimi i jetës në Kosovë, qeverisjes komunale e shërbimeve të qytetarëve në çdo kohë dhe respekt”, u shpreh Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është themeluar më 2 maj të vitit 2000.

“Idealet politike të lëvizjeve për liri, lëvizjeve patriotike të deriatëhershme morën një emër të ri pra në pluralizmin politik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shumë veprimtarë, shumë atdhetarë, intelektualë formuan Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ky brez i ri politik në AAK veproi me qytetarin e Kosovës dhe Kosovën nëpër sfidat e lirisë deri në pavarësi. Po ashtu vepron edhe sot për Kosovën e fortë ekonomikisht, të sigurt, të anëtarësuar në NATO, në OKB dhe aleate e mirë e besueshme e Amerikës”, përfundoi Haradinaj fjalimin e tij në 21-vjetorin e themelimit të AAK-së.