Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndryshe si arkitekt, ndryshe si kryetar’ – Çka thoshte para 4 vitesh Përparim Rama për xhaminë në Prishtinë?

Komuna e Prishtinës i ka dhënë dritën e gjelbër projektit i cili po priste një leje që gati 10 vjet nga gurthemeli i saj.

Para katër vitesh, Përparim Rama, atëherë vetëm një arkitekt, e sot kryetar i kryeqytetit, nuk ishte i pajtimit që xhamia qendrore të ndërtohej në lagjen “Dardania”.

Mirëpo, të hënën, nga Komuna e Prishtina u dha njoftimi se është marrë vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit për Xhaminë qendrore në kryeqytet.

Ndërtimi i xhamisë së madhe ka qenë kërkesë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që nga përfundimi i luftës, me argumentimin, se në xhamitë ekzistuese nuk ka vend për falje të besimtarëve myslimanë.

Kryetari Përparim Rama u deklarua në rrjetin e tij social duke thënë se procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ “më në fund e kanë vënë në binarët e duhur”, madje u shpreh i lumtur që e përmbyllën procesin e lëshimit të lejes.

“Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit.  Qytetarët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar!”, ka shkruar i pari i Prishtinës në “Facebook“.

Por katër vite më herët, kur Përparim Rama nuk ishte pjesë e skenës politike, por vetëm si arkitekt në Londër, ishte shprehur kundër, duke thënë se pozita e tanishme, tek ndërtesa e Postës së Kosovës, është e gabuar nga aspekti urban, arkitektonik, tradicional e historik.

Madje tha nuk duhet të lejuar bëhet gabim “për hir të qytetit tonë dhe të gjithë qytetarëve”.

Rama asokohe mendonte se Xhamia e Madhe duhet të jetë aty ku janë tri xhamitë dhe Hamami, te ish-çarshia e vjetër në kryeqytet.

“Rrugët përreth duhet te shndërrohen në rruge këmbësoresh. Të gjitha hapësirat publike duhet të rehabilitohet dhe ta na e përkujtojnë historinë tone, Prishtinën e vjetër. Vetëm paramendone ndërlidhjen e te gjitha Xhamive përreth me hapësira publike për këmbësorë, me dyqane filigranesh, zejesh te ndryshme, me treg e produkte vendore, me përplot histori e trashëgimi. Sheshi Nena Terezë duhet te lidhet me kete pozite, e poashtu te vazhdoje ne anën tjetër deri tek katedralja. Te behet ndërlidhja e feve/besimeve qe na karakterizojnë si komb si nga aspekti shpirtëror poashtu edhe nga aspekti urban”, kishte shkruar Përparim Rama në rrjetin social “Facebook”, më 1 qershor 2018.

Historiku

Pas shumë negociatash që kanë zgjatur disa vjet, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që xhamia të ndërtohet në lagjen Dardania, një lokacion në mes të një Ambulance të Bashkësisë Lokale në Dardani dhe ndërtesës së Telekomit të Kosovës.

Në vitin 2012, ishte vënë guri themeli i Xhamisë Qendrore të Prishtinës, ku do të mund të falen deri në 6 mijë besimtarë.

Vetëm 8 vjet më vonë filluan punimet për ndërtimin e saj, pasi Bashkësia Islame kishte hasur në probleme për t’u pajisur me leje për të filluar punët.

Punimet zyrtarisht filluan para disa ditësh, më 15 korrik 2022. Por kur filluan punimet, filluan edhe kundërshtimet, të njëjtat që e kanë përcjellë prej fillimit të projektit.

Asokohe, një grup i vogël qytetarësh protestuan kundër ndërtimit të xhamisë përballë Telekomit të Kosovës në Prishtinë. Shumë të tjerë kundërshtuan edhe përmes platformave të mediave sociale.

Ata kundërshtojnë edhe lokacionin ku është përzgjedhur të ndërtohet ky objekt fetar, por edhe formën e financimit, pasi që ndërtimi i xhamisë financohet nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Sipas tyre, lagjet Dardania dhe Ulpiana, kanë më shumë nevojë për shkolla e çerdhe sesa për xhami.

Shumë qytetarë dhe arkitektë e kishin kundërshtuar edhe projektin e xhamisë, plani i aprovuar i përket arkitekturës klasike osmane, që është i ngjashëm me xhamitë që janë ndërtuar në Turqi para disa shekujsh, apo edhe ato në Kosovë gjatë okupimit turk.

Shumë arkitektë kanë kërkuar që të përzgjidhej projekti i arkitektes tashmë të ndjerë, Zaha Hadid.

Plani i Hadid është ndërtimi i një xhamie moderne dhe për mbështetësit e këtij plani, një xhami e tillë do ta kthente Prishtinën dhe këtë xhami në një atraksion për t’u vizituar nga turistët e huaj.

Megjithatë, ishte përzgjedhur projekti i kompanisë turke UFV Mimarlik (Architecture), edhe pse për të kishte kundërshtime.

Për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet janë paraqitur 81 projekte.