Foto: Ilustrim

Ndalohet për 48 orë një zyrtar policor në Gjilan për bixhoz të paligjshëm

Prokuroria e Gjilanit ka ndaluar një zyrtar policor për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprat penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “mashtrim”.

Ndalimi i zyrtarit policor të Stacionit Policor në Gjilan, B.R, është bërë nga Prokuroria e Gjilanit, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës gjatë ditës së sotme.

Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan, është realizuar bastisja në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Përlepnicë të Gjilanit.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon “Samsung”, një kartelë “Vala”, një kartelë “Ipko”, një tablet i markës “Lenovo”, një kompjuter i markës “HP”, si dhe një USB.

I pandehuri B.R., pas intervistimit nga hetuesit të Inspektoratit Policor të Kosovës, me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve.