Gjilanasi dje u deklarua i pafajshëm, sot dënohet nga Gjykata

Lirim Jakupi, i cili akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe kanosje me armë, u gjet fajtor nga Gjykata e Gjilanit dhe u dënua me 1 vit burgim me kusht dhe 700 euro gjobë.

Lirim Jakupi akuzohej se ka kanosur të dëmtuarin Erhan Aliu dhe ka bartur armë pa leje. Rasti, sipas aktakuzës, ka ndodhur më 27 shtator 2019, në afërsi të fshatit Dobërqan të Gjilanit.

Prokuroria pretendonte se teksa i dëmtuari kishte hyrë në tejkalim me veturën e tij dhe kishte shkuar në pozicion paralel me veturën e të akuzuarit, ky i fundit ka nxjerr revolen dhe ia drejton të dëmtuarit dhe një pasagjeri që ishte me të.

Përveç kanosjes, sipas Prokurorisë, Lirim Jakupi kishte mbajtur në mënyrë të kundërligjshëm armë të një tipi të panjohur.

Në seancën e fundit prokurori Shaban Spahiu, pati kërkuar nga Gjykata dënimin e tij pasi konsideronte se i akuzuari i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohej.

Kurse i akuzuari pati kërkuar nga Gjykata lirimin nga akuza sepse konsideronte se nuk është fajtor për atë që e ngarkonte aktakuza.

“Deri në fund të shqyrtimit gjyqësor vetëm se do të vërtetohet pa fajësia ime”, thoshte tashmë i dënuari Jakupi.

Pasi e shpalli vendimin lidhur me këtë çështje gjykatësi Zyhdi Haziri tha se Gjykata e ka gjetur fajtor të akuzuarin Lirim Jakupi.

“Gjykata e ka gjetur fajtor të akuzuarin për dy veprat, andaj për armë mbajtje pa leje dënohet me gjobë prej 700€, kurse për kanosjen me armë me 12 muaj me kusht, me periudhë verifikimi prej 2 viteve”, tha gjykatësi Haziri.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje – LINK