Ilustrim

Dosja e Gjykatës për vrasjen në Gjilan: Të pandehurit zbrazën dy armë në drejtim të viktimës

Të dyshuarve për vrasjen e Bakush Veselit, të pandehurve Faton Osmani, Gzim Bajrami dhe Irfan Veseli, Gjykata e Gjilanit u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për këtë masë sigurie.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës për Faton Osmanin, Gzim Bajramin dhe Irfan Veselin, të cilët dyshohet se kishin përgatitur planin dhe kishin realizuar vrasjen e tashmë të ndjerit Bakush Veseli.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se ndaj tani të ndjerit Bakush Veseli janë shkrepur 9 fishekë. Tutje në vendim thuhet se pasi të dyshuarit i janë afruar të ndjerit në një afërsi prej gjysëm metri, fillimisht i pandehuri me armën e kalibrit 9 mm, ka shkrepur 8 fishekë, kurse pas tij, i dyshuari tjetër me armën e kalibrit 7.65 mm ka shkrepur duke e goditur të ndjerin 9 herë.

Prokuroria dje ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar më 12 shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitjeje paraprake, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalur te një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.