Nagavci për incidentin në Shipashnicë: IPK po e heton rastin për tejkalim të kompetencave nga Policia

Pas incidentit që ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Shipashnicë të Poshtme të Komunës së Kamenicës, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci.

Nagavci ka thënë se Inspektorati Policor është duke e hetuar përdorimin e sprejit nga Policia e Kosovës, për shkak se të pranishëm ka pasur edhe fëmijë.

Ministrja Nagavci e ka ftuar Komunën e Kamenicës që të jetë në nivel të përgjegjësisë dhe të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla.

“Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve”, ka shkruar Nagavci.

Banorë të fshatit Shipashnicë kanë protestuar sot në shkollën e këtij fshati duke kundërshtuar reformën në arsim në Kamenicë.

Ata kanë penguar sot zyrtarët komunal të futen në shkollë për dorëzimin e inventarit dhe pajisjeve për parashkollorë, derisa sipas raportimeve situata ka qenë mjaft e tensionuar.

Për të qetësuar këtë situatë, Policia e Kosovës kishte përdor edhe sprejë në mënyrë që të ndalë protestën e rreth 50 personave.

Policia e Kosovës po ashtu bëri të ditur për KALLXO.com se protestuesit kanë sulmuar zyrtarët komunal dhe është dashur të mbajnë situatën në kontroll.

Disa qytetarë kanë dërguar fotografi në drejtim të KALLXO.com të kësaj proteste, e në to shihet se kanë qenë edhe fëmijët.

KALLXO.com raportoi edhe për reagimin e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili dha detaje për këtë ngjarje.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të ministres Nagavci:

Sot përmes mediave u informova për atë që ka ndodhur në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës. Si ministre e Arsimit jam e shqetësuar me pamjet që i pashë sidomos për faktin që aty kishte edhe fëmijë.

Kam kontaktuar me ministrin Sveçla i cili më njoftoi se Inspektorati Policor tashmë po e heton rastin nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qendror.

Sado që ka qëllime tendencioze, e vërteta është se ne nuk kemi ndërhyrë në situatën e krijuar në mes të komunës dhe banorëve në asnjë rast. Por respektojmë të drejtën e qytetarëve dhe mendojmë se askush nuk ka të drejtë të tejkalojë kompetencat aq më tepër kur në këtë mes janë fëmijët.

Më duhet ta bëjë të qartë edhe njëherë se si Ministre e Arsimit e kam obligim Kushtetues që ta realizoj të drejtën e çdo fëmije për shkollim dhe do të punojmë që asnjë fëmije të mos i mohohet kjo e drejtë. Ky duhet të jetë dhe qëllimi i të gjithëve, nuk ka asnjë arsyetim për faktin se më shumë se 440 fëmijë janë privuar nga kjo e drejtë.

Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve.

Fëmijët duhet të jenë në shkollë. Prindërit të kenë në vëmendje të parë kujdesin për fëmijët, e Kryetari duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.