Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mytaher Haskuka tregon se kur do ta rregullojë problemin e ujit në Zhur

Mytaher Haskuka, kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, ka deklaruar se tashmë kanë ndarë mjete për rregullimin e problemit me ujë në fshatin Zhur.

Për problemin e ndriçimit në rrugën “Enver Hadri” në lagjen Jeta e Re tha se qytetarët duhet ta bëjnë kërkesën në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

“Problemin e ujit në Zhur e kemi adresu, në shumë vende e kemi zgjidhur problemin. Ne e kemi rritur kapacitetin me ujë në Zhur por ka humbje të mëdha nga rrjeti. Kemi ndarë mjete për zgjidhjen e këtij problemi”, ka deklaruar Haskuka.

“E kemi kontratën për këtë. Ndriçimi do të bëhet pasi që qytetarët ta bëjnë kërkesën në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe ekipet e caktojnë një kohë dhe do ta rregullojnë”, ka shtuar më tej ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Prizrenit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Prizrenit: Afrim Tejeci nga AKR; Anton Quni nga LDK; Milazim Lushaj, kandidat i pavarur; Mytaher Haskuka nga LVV; Shaqir Totaj nga PDK dhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit: Afërdita Morina nga LDK; Afërdita Spahiu nga AKR; Dafina Bllaca nga PDK; Lirije Bytyqi nga Nisma Socialdemokrate; Mimoza Bushrani nga LVV; Ngadhjesa Bresa nga Lista GUXO dhe Shqipe Kastrati nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.