Foto: ZKM

Murati: Përkrahja financiare e qytetarëve të Kosovës për krizën - e barabartë me atë të qytetarëve të Gjermanisë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë një krahasim mes pakove të ringjalljes ekonomike të Kosovës dhe Gjermanisë.

Sipas Muratit, pakoja e prezantuar dje nga ai dhe kryeministri Albin Kurti për përballjen me inflacionin, e cila sipas tij është në kuadër të vazhdimësisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike, kap vlerën 150 milionë euro, apo rreth 2 për qind e GDP-së, pa llogaritur pakon e muajit prill apo masat paraprake.

Sipas ministrit, Gjermania ka prezantuar një pako masash të ngjashme në vlerë 65 miliardë euro, apo rreth 1.8% të GDP-së.

Sipas krahasimit të ministrit Murati, vlera e përkrahjes në euro e qytetarëve të Kosovës dhe e atyre të Gjermanisë është e njëjtë.

Për shembull, sipas ministrit pensionistët e Gjermanisë do të përkrahen me nga 300 euro (pagesë e njëhershme), kurse pensionistët e Kosovës janë përkrahur po ashtu me 300 euro të ndara 3 herë nga 100 euro (nëntor 2021, prill 2022, dhe tetor 2022).

Edhe përkrahja për studentët është e njëjtë: 200 euro për studentët gjermanë (pagesë e njëhershme) dhe 200 për studentët kosovarë (e ndarë në 2 herë nga 100 euro, prill 2022 dhe tetor 2022).

Për punëtorët e sektorit publik Gjermania do të ndajë 300 euro bruto pagesë e njëhershme, po kaq, sipas ministrit, janë përkrahur edhe punëtorët e sektorit publik të Kosovës – 300 euro (100 euro në prill 2022, plus 50 euro/muaj nga shtatori 2022).

Për punëtorët e sektorit privat, Gjermania do të ndajë 300 euro bruto pagesë e njëhershme, ndërsa, sipas ministrit, Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar punëtorët e sektorit privat me 100 euro në prill 2022, plus 3 muaj subvencionim 50 % i rritjes së pagës.

Ministri Murati ka thënë se ka edhe shumë masa tjera që kanë ndërmarrë për ta bërë më të lehtë përballjen me inflacionin, siç janë vendosja e çmimit tavan për naftën, subvencionimi i energjisë elektrike, mbështetja e bizneseve prodhuese në investime, rritja e subvencioneve në bujqësi etj.