Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistët dhe dyfishon shumën e asistencës sociale për një muaj

Qeveria e vendit ka përgatitur një pako të re për ta përballuar më lhetë inflacionin.

Kështu njoftoi të shtunën kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai tha se nga pako të përfitojnë pensionistët, personat me asistencë sociale, zyrtarët publikë por edhe të gjithë qytetarët që kursejnë rrymën.

“Sot po prezantojmë një pako të re që ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve për tu përballur me krizën e inflacionit. Nisur nga gjendja e rënduar me energji,  sot më shumë se kurrë është e domosdoshme që të kursejmë. Andaj, do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike”, tha ai gjatë një konference për media.

“Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faktuarën”, deklaroi Kurti.

Edhe pensionistët do të përfitojnë nga kjo pako.

“Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 eurove kurse familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj” – tha Albin Kurti.

“Do të procedojmë për në qeveri e pastaj në Kuvend për miratim projektligjin për punë publike e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe  punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës” – deklaroi ai.