
Mungoi dëshmitari, shtyhet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, të akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me krime të luftës, nuk është mbajtur më 01.04.2025, pasi një dëshmitar nuk është paraqitur në Gjykatë.
Ky dëshmitar ishte i propozuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
“Sot si rregull do të fillonim të dëgjonim dëshminë e dëshmitarit. Dëshmitari nuk është në gjendje të dëshmojë sot. ZPS ka kërkuar që të pranohet dëshmia e tij.” – tha gjyqtari i çështjes, Charles Smith III.
Ky konsiderohet dëshmitari i fundit, i cili parashihej të jepte dëshminë e tij lidhur me këtë rast.
Pas kësaj faze do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të cilët janë të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve.
Njëherë seancat për këtë proces gjyqësor janë shtyrë deri në kohën kur të vendos Gjykata për këtë çësgtje gjyqësore.
Aktakuza
Sipas Aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit – duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni, se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë Aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë e kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e Aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë, ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në Aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në Kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera të cilat ishin dërguar në Kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë, në Aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.
Pjesë e Aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas Aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Në këtë Aktakuzë, Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe Qendrën e Paraburgimit në Kleçkë.
Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas Aktakuzës, një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas Aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një Aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për Aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.