Kërkesa për vizitën e Thaçit në Kosovë pas vdekjes së babait të tij, deklarohen nga Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë deklaruar se “për mometin”  gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me kërkesën për vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi më 16.03.2025.

Specialja thotë se kërkesat dhe vendimet për të paraburgosurit janë konfidenciale. Gjykata më tej thekson se vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit që të ndodhin, mund të marrin kohë që të koordinohen dhe të organizohen.

“Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale” thekson Gjykata Speciale në një njoftim.

“Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë.” – thuhet më tej në njoftim.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se pas vdekjes së babait të Thaçit kanë pranuar pyetje nga publiku dhe gazetarë lidhur me atë se a do t’i lejohet  Thaçit të vizitojë Kosovën siç ju kishte lejuar javën e kaluar kur e kishte vizituar babain e tij në spital, si dhe në dy rastet e mëparshme.

“Të vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si kjo, korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek gjykatësit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Gjykatësit e miratuan këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve.” – thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në njoftim të DHSK është bërë e ditur se deri tani gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar 13 vizita të tilla në Kosovë për të paraburgosurit, të cilat janë menaxhuar nga gjykata, “për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjnë nderime dhe të kalojnë kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi.”

“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjykatësi i cili merret me çështjen vlerëson të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa, me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo. Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.” – thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ditë më parë, Gjykata Speciale e ka lejuar Hashim Thaçin ta vizitojë babanë e tij në QKUK.

Pasi ka përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi është kthyer në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.