Muharremaj reagon pas 11 rasteve të reja me COVID-19 në Suharekë

Sot në Kosovë janë shënuar edhe 30 raste të reja me coronavirus.

Nga 30 persona pozitivë me COVID-19, 11 prej tyre janë nga Komuna e Suharekës, që ka numrin më të madh të prekurve sot.

Për këtë ka reaguar, kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, i cili kërkoi nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi ditëve në vijim.

“Nga 32 mostra që janë testuar, 11 prej tyre kanë dalë pozitiv, pra janë me Covid-19. 5 raste janë në Krushicë të Poshtme, 3 në Suharekë, 2 Reshtan dhe 1 në Bukosh. Ne nuk duhet të ndalemi e të punojmë, që situatën ta mbajmë nën kontrollë, e të angazhohemi që të kemi sa më pak raste në të ardhmen. Ju na ndihmoni duke qëndruar në shtëpi, e ne do ti kryejmë punët tona institucionale që na takojnë”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.

Kurse, sot janë shëruar edhe 9 persona nga COVID-19.

Deri më tani, në Kosovë janë shënuar 510 persona të infektuar me coronavirus, 93 të shëruar dhe 12 viktima.

Në nivel global, numri i personave të prekur me COVID-19 deri më sot është 2,276 mijë e 359, 156 mijë e 118 viktima dhe janë shëruar 582,599 persona.