MSh planifikon t’i sigurojë 1.2 milion vaksina kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se planifikojnë që Kosova t’i sigurojë rreth 1.2 milionë vaksina kundër coronavirusit.

Në përgjigje që Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë për KALLXO.com, thuhet se ky numër i vaksinave do të ishin të mjaftueshme për vaksinimin e grupeve me prioritet.

“Planifikimet e Kosovës (sipas planifikimeve të IKSHPK-së) janë që Kosova të sigurojë rreth 1.2 milionë vaksina, që do të ishin të mjaftueshme për vaksinimin e grupeve me prioritet për vaksinim siç janë profesionistët shëndetësor, të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe grupet e tjera që duhet vaksinuar”, thuhet në përgjigjet e MSh-së.

Sipas kësaj ministrie 360 mijë vaksina pritet që Kosova t’i marrë donacion, kurse pjesën tjetër do ta blejë.

“Vaksinat (si ato që do të jenë donacion si ato që do të blihen nga buxheti i shtetit të Kosovës) do t’u jepen falas qytetarëve”, thuhet tutje.

MSH-ja ka thënë se janë në kontakte prej muajit korrik-gusht 2020 me Aleancën Gavi Covax AMC për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 kurdo që ato të jenë zhvilluar dhe aprovuar për përdorim tek njerëzit.

“Aleanca Gavi COVAX AMC që është një aleancë e vaksinave që i bashkon vendet në zhvillim dhe donatorët si OBSH, UNICEF, Bankën Botërore, industrinë e vaksinave, agjencitë teknike, shoqërinë civile, Fondacione te ndryshme dhe partnerë të tjerë të sektorit privat e ka futur Kosovën ne mesin e shteteve qe do të përfitojnë falas 20% të vaksinave kundër COVID 19, ndërsa për pjesën e tjetër (që blihet), sikurse shumë shtete tjera, edhe Kosova ka paraqitur shprehjen e interesit (aplikimin) në këtë aleancë me qëllim që ajo të fascilitojë blerjen e pjesës tjetër të vaksinave për Kosovën përmes marrëveshjeve që aleanca kryen me prodhuesit e vaksinave, të cilët janë pjesë e aleancës (GAVI COVAX AMC)”, thuhet në përgjigje të MSh-së.

Gavi COVAX AMC, sipas ministrisë, ndihmon shtetet me të ardhura të mesme dhe të ulëta në sigurimin e vaksinave.