MSH-ja e shqetësuar me disa vendime të OSHP-së për prokurim të baranve

Ministria e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim lidhur me disa vendime të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Përmes këtyre vendimeve, sipas MSH-së, OSHP po tenton të lejojë prokurimin e barnave pa Autorizim të Marketingut në Kosovë.

“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me disa vendime të Organit Shqyrtues të Prokurimit (Vendimet nr. 397, 409/22, Vendimin nr. 425/22 dhe Vendimin nr. 596/22) përmes të cilave vendime të kundërligjshme, OSHP po tenton të lejojnë prokurimin e barnave pa Autorizim të Marketingut në Kosovë, përkundër se kjo është e ndaluar shprehimisht me Ligjin Nr. 04/L -190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Autorizimi për Marketing është Leje e dhënë nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale për aprovimin e barit për treg bazuar në plotësimin e kërkesave për kualitet, siguri dhe efikasitet për përdorim human në tretmanin terapeutik”- thuhet në njoftim e MSh-së.

MSH ka potencuar se të gjitha vendimet i ka kundërshtuar nëpërmjet padive gjyqësore dhe ka kërkuar pezullimin e vendimeve.

“Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin publik se të gjitha këto vendime i ka kundërshtuar nëpërmjet padive gjyqësore dhe ka kërkuar pezullimin e vendimeve deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor, e që jemi të bindur se gjykata do t’i konsiderojë si të kundërligjshme” – thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

MSH thotë se nëse zbatohen vendimet e OSHP-së, do të lejohej importi i pakontrolluar të barnave në vend dhe për çdo efekt të padëshiruar të barnave askush nuk do të mund të mbahet përgjegjës.

“Rreziku që i kanoset përdoruesve të barnave pa Autorizim Marketing është i lartë, pasi që në rast se ne zbatojmë vendimet e lartëcekura të OSHP-së, atëherë Republika e Kosovës efektivisht do të lejonte importin e pakontrolluar të barnave në vendin tonë dhe për çdo efekt të padëshiruar të barnave askush nuk do të mund të mbahet përgjegjës. Ky Autorizim është kusht bazik i patejkalueshëm për verifikimin e sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të barnave”- bëhet e ditur në njoftim.

Ministria thekson se si institucion, është autoriteti që harton politikat dhe monitoron zbatimin e tyre.

“Si autoritet i tillë nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që në Republikën e Kosovës të vendoset në pikëpyetje protokolli bazik i kontrollit të qarkullimit të barnave. Rikujtojmë që kjo nuk është një çështje komerciale, por një çështje thelbësore e mandatit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe agjencive të saj”- thuhet në reagim.

Më tej, në reagimin e ministrisë është thënë se raportimi i anëtarëve të Bordit të OSHP para Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, ka qenë shqetësues për MSH-në.

“Veçanërisht, shqetësues për Ministrinë e Shëndetësisë ishte raportimi i anëtarëve të Bordit të OSHP para Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, ku u diskutua edhe për këtë çështje, dhe nga anëtarët e OSHP-së u tentua që të paraqiten të dhëna të pasakta me pasojë vendosjen në lajthitje të anëtarëve të këtij komisioni, me arsyetimin se vlerësimi i OSHP-së është thjeshtë procedural”- është shprehur MSH-ja.