ShBA-të për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Kosova si vend sovran, përcakton prioritetet e politikës së jashtme

Ambasada Amerikane në Kosovë ka thënë se Kosova dhe Serbia janë dy vende sovrane dhe si të tilla të njëjtat kanë të drejtë që të përcaktojnë prioritetet e tyre të politikës së jashtme.

Këtë deklaratë e ka dhënë për KALLXO.com, Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Kosovë, Erik Brassil, pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte mbajtur një konferencë për media, ku në mes tjerash kishte deklaruar që Kosova ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit.

Në marrëveshjen e 4 shtatorit të 2020, Kosova ishte pajtuar që për periudhën 1 vjeçare t’i ndalojë përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia kishte nënshkruar marrëveshjen për të ndalur fushatën e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje kishte përfunduar në shtator të 2021.

Mirëpo nga ambasada amerikane në Prishtinë thonë se të dy vendet i përcaktojnë vet prioritetet e tyre të politikës së jashtme.

“Kosova dhe Serbia janë vende sovrane me të drejtë të përcaktojnë prioritetet e tyre të politikës së jashtme”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Prishtinë, Erik Brassil.

Tutje, sipas tij, moratoriumi i nënshkruar në shtator të 2020 në ShBA-së kishte për qëllim zgjerimin për diskutim dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë.

“Moratoriumi ishte krijuar për të zgjeruar hapësirën për diskutim dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, që ne besojmë se është në interesat strategjike të të dyja vendeve. Ne mendojmë se Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve të tyre është thelbësor për të dy vendet për të zhbllokuar të ardhmen e tyre evropiane dhe për të nxitur angazhimin e tyre urgjent, fleksibël dhe serioz në atë proces”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane.

Pas lajmit se Kosova do të aplikojë sot për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mediat serbet raportojnë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbledhë nesër Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Sipas B92, seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet sot.

Dje, Qeveria e Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka miratuar në parim nismën për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Këshilli i Evropës.

Vendimi i miratuar dje nga qeveria e Kosovës, obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Dy ditë pas takimit në Berlin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte kërcënuar Kosovën në rast se do të bënte aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai kishte thënë se përgjigja e Serbisë në ditën kur Kosova do të bëjë kërkesë zyrtare për pranim në KE dhe do të shkelë Marrëveshjen e Uashingtonit, “do të jetë e fortë dhe serioze”.

“Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbrojmë vendin dhe Kushtetutën. Atë ditë që marrim vesh që kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në ndonjë organizatë, përgjigjja jonë do të jetë shumë më e fortë sesa që mendojnë ata e nuk do të jetë vetëm deklaratë për media. Më besoni se do t’ua tregojmë dhëmbët goxha shumë”, kishte deklaruar Vuçiq.

Në anën tjetër sot është paraparë që të mbahej Mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Serbi e thirrur nga Vuçiq.

Kjo mbledhje ishte paraparë që të mbahet duke filluar nga ora 11.

Zyrtare: Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (VIDEO)