Ministria e Punëve të Brendshme. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MPB tregon se kur do të dalin shtesat për zyrtarët publikë

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës ka njoftuar se korrigjimi apo përshtatja e të dhënave në sistem të pagave do të vazhdoj edhe në ditët e javët e ardhshme, e po ashtu në këtë njoftim ka folur edhe për shtesat që i takojnë zyrtarëve publikë.

Sipas këtij njoftimi, sot do të disbursohen pagat e dyta për të të gjithë zyrtarët publikë të Kosovës, sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023, përderisa shtesat për kushte specifike të punës dhe shtesën për kushte tregu do të dalin gjatë muajit prill.

Për këtë çështje MPB ka thënë se komisioni është duke bërë një punë intensive, përkundër së cilës procesi i trajtimit të të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar ende.

“Andaj, njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt dhe mars do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit prill” – është thënë në njoftimin e Ministrisë.

MPB po ashtu ka njoftuar se komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, janë themeluar dhe kanë mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesat.

Në njoftim është thënë se gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar dhe punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit.

“Për shkak të urgjencës, këtë muaj është arritur që të përfshihen në listat për disbursim kompensimet e veçanta për stafin diplomatik të Republikës së Kosovës që shërbejnë në misionet diplomatike dhe konsullore” – është thënë tutje nga ana e Ministrisë.

Po ashtu është njoftuar se puna në shqyrtimin dhe vendosjen e ekuivalencës përkatëse për secilën pozitë, ndikohet jashtëzakonisht shumë nga numri i kërkesave, prandaj, ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme deri në adresimin e plotë të çdo pasaktësie në listat e pagave.

MPB ka njoftuar opinionin dhe të gjitha palët e interesuara se përgjithësisht por duke mos u kufizuar, kërkesat që po shqyrtohen kanë përafërsisht bazë si në shpjegimin e mëposhtëm:

  1. Punonjës aktual që nuk u janë ekzekutuar pagat (në prioritet brenda muajit mars – pagat u paguhen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  2. Punonjës të rinj që punësohen/lidhin kontratë pas hyrjes në fuqi të Ligjit (në prioritet brenda muajit mars);
  3. Punonjës të cilëve, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, u është përcaktuar koeficient i gabuar në raport me koeficientin sipas sistemit të vjetër të pagave (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim–pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  4. Punonjës të cilëve vet shtojca përkatëse e Ligjit u ka përcaktuar klasifikim të posaçëm, p.sh ekspertë sipas shtojcave të posaçme, specialistët, inspektorët, punonjësit në arsim, shëndetësi, art, kulturë e trashëgimi kulturore apo një fushë tjetër, (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim – pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  5. Punonjës të cilët kanë kërkuar ndërrim klase, statusi apo kategorie nga çfarë janë aktualisht  (kjo kategori mund të rishikohet vetëm pas miratimit të strukturës organizative përmes aktit që përmban klasat për secilin pozicion brenda strukturës. Institucionet obligohen sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të përfundojnë miratimin e akteve normative që rregullojnë ndër të tjera, klasifikimin e vendeve të punës në kuadër të strukturave përkatëse).
  6. Arsye të tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe me udhëheqësit e institucioneve me qëllim adresimin më të shpejtë dhe më të saktë të të gjitha kërkesave që përmbajnë mospërputhje me përcaktimet e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Për këtë ligj MPB ka thënë se ka reformuar rrënjësisht strukturën e pagave në sektorin publik për herë të parë në Republikën e Kosovës.