MPB: Qytetarët e pajisur me tabela të përkohshme të makinave po kërcënohen

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se qytetarët të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme tw automjeteve, janë duke u kërcënuar nga persona të pa identifikuar deri tani.

Në komunikatën e Ministrisë potencohet se këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme, dënohen ashpër.

Sipas MPB-së, forma të tilla të kërcënimeve ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të frikësuar të jetojnë dhe të veprojnë në vendin e tyre.

Ministria thekson se këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

MPB njofton të gjithë qytetarët se kërcënimi është vepër penale dhe këto forma dhe forma tjera të kërcënimeve do të hetohen nga Policia e Kosovës dhe do të merren masa sipas ligjit.

Prej vendimit për vendosjen e targave të përkohshme (20 Shtator 2021) deri më sot janë lëshuar 11,500 palë tabela.