AGK dënon kërcënimin ndaj autoreve të emisionit "KIKS Kosova"

Autoret e emisionit “KIKS Kosova”, Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli, janë kërcënuar me jetë – ato dhe familjarë të tyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se ky kërcenim ka ardhur pas një hulumtimi të bërë në lidhje me këngëtarin Eroll Murati, i cili sipas raportimeve është i përfshirë në mashtrimet me pasaportat sllovene, fajde, si dhe shitjen e makinave të cilat i kishte marrë me qira.

“Në një email drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetaret tregojnë që kanë marrë kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, nga një profil i sapo hapur në rrjetin social Facebook” – ka thënë AGK.

Tutje është thënë se në këtë email është thënë se “Fjalët e përdorura janë tejet shqetësuese meqë përveç ofendimeve dhe gjuhës degraduese, ka përdorur edhe kërcënime të llojit: pak e ki, krejt t rrethekum me evlad kan me ti kall me cka ke…”.

Po ashtu, AGK ka njoftuar se për rastin është lajmëruar edhe Policia e Kosovës.

Gjithashtu, është njoftuar se pas përfundimit të emisionit ku është shfaqur ky hulumtim, ka reaguar edhe vetë personi i apostrofuar në të, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”.

AGK ka thënë se kërcënimet e tilla drejtuar gazetarëve janë tejet shqetësuese për të andaj i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi që fshihet prapa këtij profili të rremë të mbahet përgjegjës.