MPB pret mërgimtarët në aeroport, ia prezanton fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’

Në kuadër të fushatës “Festo me zemër, jo me Armë”, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka mbajtur aktivitet të promovimit me mërgimtarët që vinin përmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas komunikatës së ministrisë, zëvendësministri Blerim Gashani, së bashku me një ekip nga Policia e Kosovës dhe zyrtarë të MPB-së, bashkëbiseduan dhe shpërndanë mesazhet kryesore të fushatës për parandalimin e gjuajtjeve me armë.

Gashani ka kërkuar nga mërgimtarët që këtë mesazh për parandalimin e të shtënave me armë ta ndajnë dhe me familjarët e tyre në Kosovës, sidomos në ambiente festive ku marrin pjesë për t’i njoftuar qytetarët mbi pasojat që vijnë nga të shtënat gjatë gëzimeve familjare.

“Është e rëndësishme që në ahengjet tuaj të festoni pa të shtëna me armë. E shtëna me armë nuk është traditë, i përket të kaluarës, andaj ju ftojmë që të bashkëpunoni me Policinë e Kosovës, në raste kur jeni ne ambiente ku ka prani, apo të shtëna me armë. Me të gjithë akterët institucional dhe të sigurisë po punojmë ngushtë që të parandalojmë të shtënat festive dhe të rrisim nivelin e sigurisë në vend” – citohet të ketë thënë zëvendësministri.

Sipas komunikatës, mërgimtarët që vinin në Kosovë e mirëpriten nismën e MPB-së për këtë fushatë dhe premtuan që të njëjtat mesazhe t’i ndajnë edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.

Tutje në komunikatë thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme, me 30 qershor filloi zyrtarisht  fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë.

Poashtu MPB ka paralajmëruar se aktivitete të tjera do të përcjellin fushatën gjatë ditëve dhe muajve në vijim, për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të rritur numrin e raportimeve për të shtënat festive.