ilustrim: Naser Fejza

Moti sot në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka parashikuar se pas reshjeve të shiut dhe borës, situata meteorologjike vije drejt stabilizimit.

Temperaturat minimale sipas Institutit do të lëvizin ndërmjet -3 deri +7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-24 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare.

Në njoftimin e institutit thuhet se për shkak të kthjellimeve dhe reshjeve të borës që ranë në viset e larta malore, parashihen ulje të temperaturave minimale deri në -3 gradë Celsius, ndërsa në viset e ulëta minimalet parashihen rreth -2 gradë, kurse në disa zona për rreth maleve edhe deri -3 gradë Celsius.

Këto temperatura minimale sipas Institutit parashihen vetëm në orët e hershme të ditës, ndërsa gjatë ditës do të ketë rreze dielli.

“Ky përmirësim i motit parashihet të ndodhë si rezultat i prezencës së masave të ajrit me presion të lartë atmosferik. Do të ketë më shumë orë me diell e pak vranësira, më të theksuara përgjatë relievit malor. Nuk parashihen reshje të asnjë forme, brenda kësaj periudhe pesë ditëshe të parashikimit”, thuhet në njoftim.