Moska kërcënon të anulojë marrëveshjen e grurit përsëri
Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.
Zyrtarët perëndimorë pohuan se për nga shtrirja, lufta mund të jetë më e madhja në Evropë që nga viti 1945.
Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u larguan në perëndim të vendit të tyre dhe jashtë vendit.
Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth tetë milionë që nga dhjetori 2022, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.
Ndërkohë, sot është dita e 425 e pushtimit rus në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit nga atje janë si në vijim:
Ushtria e Ukrainës ka ngritur pozicione në anën lindore të lumit Dnipro pranë qytetit Kherson, Instituti për Studimin e Luftës citon të kenë thënë blogerët ushtarakë rusë. Infiltrimi në këtë zonë mund të jetë një hap i parë drejt përpjekjes për t’i larguar rusët nga pozicionet që ata i përdorin për të bombarduar dhe qëlluar në Kherson.
Ambasadori i Kinës në Francë ka ngjallur zemërim në Evropën Lindore dhe Ukrainë, ndërsa ka tërhequr një qortim nga Parisi dhe BE-ja pasi ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendeve post-sovjetike. Ambasadori Lu Shaye sugjeroi se vendet që dolën pas rënies së Bashkimit Sovjetik “nuk kanë status efektiv sipas ligjit ndërkombëtar, sepse nuk ka një marrëveshje ndërkombëtare që e konfirmon statusin e tyre si kombe sovrane”.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka deklaruar se nëse G7 merr vendim për t’i ndaluar eksportet në Rusi, Moska do të përgjigjet duke e përfunduar marrëveshjen e drithit në Detin e Zi që i mundëson eksportet jetike të grurit nga Ukraina. Rusia ka sinjalizuar fuqishëm se nuk do të lejojë që marrëveshja të vazhdojë përtej 18 majit.
Shpenzimet ushtarake të Evropës u rritën me një ritëm rekord në vitin 2022, duke arritur një nivel të paparë që nga lufta e ftohtë pas pushtimit rus të Ukrainës, thuhet nga studiuesit e sigurisë globale. Rritja në Evropë i ndihmoi shpenzimet ushtarake globale të arrijnë një rekord të tetë radhazi në 2.24 trilionë dollarë, ose 2.2% të prodhimit të brendshëm bruto të botës, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska “nuk do ta falë” Uashingtonin për refuzimin e vizave amerikane për gazetarët rusë, të cilët kanë për qëllim ta shoqëronin atë në një vizitë në selinë e OKB-së. “Nuk do ta harrojmë, nuk do ta falim këtë”, ka deklaruar ai. Rusia e mori presidencën e këshillit të sigurisë prej 15 anëtarësh në prill.
Rusia i këshillon qytetarët e saj që t’i shmangin udhëtimet në Kanada. Rusia përmendi ato që ajo i quajti raste të shumta të diskriminimit kundër qytetarëve të saj, duke përfshirë dhunën fizike, thuhet në një njoftim nga ministria e saj e jashtme.
Protestuesit anti-Kremlin organizuan një tubim në Paris të dielën, duke i kërkuar BE-së të vendosë sanksione ndaj gruas socialiste të zëvendësministrit rus të Mbrojtjes, të cilën ata e akuzojnë për anashkalim të sanksioneve. Protestuesit thanë se zëvendësministri i mbrojtjes Timur Ivanov ishte divorcuar nga gruaja e tij Svetlana Maniovich vitin e kaluar në mënyrë që t’i mundësonte asaj të jetonte një mënyrë jetese luksoze në Francë dhe t’i shmangej sanksioneve.
Rusia po bën thirrje për “burra të vërtetë” në një përpjekje të re rekrutimi ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka nisur një përpjekje të madhe për rekrutët vullnetarë, duke u mbështetur në krenarinë e tyre mashkullore mes një grupi të kufizuar burrash në moshë luftarake në Rusi, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Ministria ruse e mbrojtjes pretendon se ka pushtuar tri zona të tjera në pjesën perëndimore të Bakhmutit në Ukrainën lindore. Trupat që kanë vazhduar në qytetin shumë të kontestuar mendohet të jenë pjesë e grupit të mercenarëve ëagner./The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala