Foto: Screenshot/Euronews Albania

Momenti kur polici qëllon për vdekje kolegun e tij në Shqipëri (VIDEO)

Emisioni ‘Sot’ në Euronews Albania ka publikuar videon e momentit kur Ludian Zaimi qëlloi me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, 55 vjeç.

Nga pamjet shihet se si në ambientet e Komisariatit nr.3 në Tiranë, ku ndodhi ngjarja e rëndë ndodhen disa policë të ulur nëpër karrige, në pritje të ndërrimit të turnit.

Autori del jashtë, ndërkohë që pak para tij ka dalë edhe viktima, i cili shihet i ulur në shkallët e komisariatit.

Në ambientet e jashtme, pranë viktimës shihet edhe një polictjetër dhe në pamje të parë situata duket e qetë.

Në një moment,  polici Ludian Zaimi kthehet me fytyrë nga 55-vjeçari Çaush Saliasi, duke qëlluar disa herë me armë në drejtim të tij.

Ky i fundit përpiqet të largohet duke u futur përsëri brenda në Komisariat e duke shtyrë me këmbë derën që të largonte 25-vjeçarin, i cili shihet teksa e ndjek me armë në dorë deri tek dera.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë.

Zaimi qëlloi të paktën me 6 plumba ndaj Saliasit dhe u ndalua nga kolegët teksa përpiqej të largohej nga komisariati./Euronews.al