Momenti kur inspektorët e ATK-së e kontrollojnë biznesin për kontratat e punës

Në muajt e fundit bizneset janë duke u përballur me kontrolle më të rrepta, të cilat synojnë identifikimin e problemeve me kontratat e punës.

Sipas ligjit në ditën e parë të punës punëtori duhet të ketë kontratë të punës dhe i njëjti të regjistrohet në regjistrin e Administratës Tatimore të Kosovës nga ku më pas paguhen tatimet për shtetin dhe kontributet pensionale.

Në ekonominë joformale të vendit punojnë mijëra punëtorë pa kontrata të punës ndërsa vendosja e rregullsisë në këtë fushë kërkon inspektime e angazhim të madh.

Muaj më parë një operacion i gjerë i ATK-së ka nisur me synim zbulimin e bizneseve të cilat mbajnë punëtorë pa kontrata. Si rezultat i këtij aksioni qindra punëtorë në mbarë Kosovën u regjistruan dhe u deklaruan në ATK.

Kallxo.com në mes të muajit tetor ka lansuar fushatën me të cilën synon inkurajimin e raportimeve dhe që nga ajo kohë dhjetëra punëtorë kanë raportuar se punojnë pa kontrata pune.

Për verifikimin e këtyre informacioneve, me urdhër të zv. drejtorit të përgjithshëm të Operacioneve, Nijazi Asllani, u angazhua një ekip tatimor, i cili me detyra të qarta nisi aksionin në dalje të Prishtinës.

Me të mbërritur në biznes inspektoret kuptojnë se në të nuk ishte prezent asnjë punëtor pasi puna gjatë dimrit ishte pezulluar. Kjo nuk i pengoi inspektorët që kontrollit t’i japin kahje tjetër dhe të nisin inspektimin e kontratave të punës.

Kontrolli i dokumenteve jep rezultatet e para, pronari deklaron se i ka nëntë punëtorë ndërsa në zyrat e biznesit nuk gjendet kontratat e të gjithë punëtorëve por vetëm të disa prej tyre.

Inspektimi përfundon pas disa orësh. Pronarit i kërkohet që të paraqitet në zyrat e ATK-së për të dërguar dokumente të tjera të nevojshme për plotësimin e raportit final, përderisa i bëhet me dije se rasti i tij do të trajtohet edhe nga zyra për gjoba dhe ndëshkime e njohur ndryshe si ZGjONA.

Kontrolle tatimore për verifikim të deklarimit të punëtoreve janë zhvilluar gjatë gjithë muajit nëntor nga Administrata Tatimore e Kosovës.