MMPH reagon pas raportimeve për cilësinë e ajrit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar në lidhje me raportimet e fundit nëpër media rreth cilësisë së ajrit duke i cilësuar si matje të paautorizuara.

MMPH përmes një komunikate ka thënë se të vetmet të dhëna zyrtare mbi cilësinë e ajrit në Kosovë janë ato të prezantuara nga kjo ministri.

“Janë analizuar po ashtu të dhënat e publikuara përmes këtyre platformave të ndryshme si ueb aplikacione dhe aplikacione për telefona smart, dhe për më tepër është analizuar shtrirja e këtyre rrjeteve për monitorim, pajisjet monitoruese, treguesit e monitoruar, baza ligjore dhe aspektet tjera që ndërlidhen me këtë çështje”, thuhet në komunikatën e MMPH.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se sipas nenit 33 të Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja (Nr.03/160), monitorimi i cilësisë së ajrit bëhet nga Ministria dhe informimi i publikut për cilësinë e ajrit është i rregulluar sipas nenit 25 dhe nenit 26 të Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, ku përcaktohet që informimi i publikut sigurohet nga Ministria, ndërsa që treguesit që duhet monitoruar janë të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji.

Sipas komunikatës normat e cilësisë së ajrit janë të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ Nr.02/2011, kurse funksioni dhe shtrirja e rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit është i rregulluar sipas Udhëzimit Administrativ (Nr.15/2010) për kriteret për përcaktimin e pikave monitoruese për cilësinë e ajrit, numrin dhe shpeshtësinë e matjeve, klasifikimit e ndotësve që monitorohen, metodologjinë e punës, formën dhe kohën e raportimit të të dhënave.

Prandaj, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor konstaton se monitorimi aktual i cilësisë së ajrit nga disa organizata dhe kompani, nuk  është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.

“Treguesit e monitoruar, informimi i publikut dhe raportimi i të dhënave nuk është në përputhje me kërkesat e Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe me aktet tjera ligjore përkatëse. Shtrirja e rrjetit nuk është në përputhje me kërkesat e Udhëzimit Administrativ Nr.15/2010. Normat e zbatuara për monitorimin e cilësisë së ajrit nuk janë në linjë me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2011. Pajisjet që përdoren për monitorim nuk janë të besueshme dhe nuk i plotësojnë standardet e kërkuara sipas udhëzimeve dhe ligjeve ne fuqi dhe sipas normatives së BE për matjen e parametrave përkatës”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në këto gjetje MMPH ka kërkuar që të gjitha organizatat dhe kompanitë duhet të zbatojë kërkesat ligjore për monitorimin e cilësisë së ajrit, shtrirjen e rrjetit të monitorimit, normat dhe treguesit e monitorimit, raportimin e të dhënave dhe informimin e publikut, të gjitha platformat si ueb aplikacione dhe smart aplikacione që kanë qëllim informimin e publikut për cilësinë e ajrit duhet të bazohen dhe të shërbehen me të dhëna zyrtare  të cilat prodhohen nga MMPH/AMMK, përkatësisht Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, si i vetmi institucion përgjegjës i autorizuar për monitorimin e cilësisë së ajrit, ose në rrjete tjera monitoruese që plotësojnë kushtet, normat dhe standardet e përcaktuara me ligj si dhe ka paralajmëruar se përmes Inspektoratit të Mjedisit do të ndërmarrë edhe masa ligjore përkatëse.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.