Foto: MKRS

MKRS mbështet themelimin e Kolegjiumit për kulturë nga AKK

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për mbështetje të themelimit të Kolegjiumit për kulturë, rini e sport me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Memorandumi është nënshkruar nga ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi dhe Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).

Nëpërmjet këtij memorandumi, sipas komunikatës, MKRS do të përkrah financiarisht themelimin e këtij kolegjiumi duke mundësuar takimet e rregullta të drejtorëve të drejtorive komunale për kulturë, rini dhe sport, takime në të cilat do të merr pjesë gjithmonë edhe një përfaqësues i MKRS-së.

Takimet, sipas ministrisë do të mbahen në baza të rregullta periodike kohore me 4 deri në 6 takime për çdo vit, ku përpos shkëmbimit të përvojave të drejtorive komunale, do të bëhet identifikimi i kërkesave për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale për fushat që i mbulon MKRS në mandatin e saj.

Me këtë rast, sipas komunikatës së MKRS-së, ministrja Dumoshi, ka vlerësuar punën që po bënë AKK-ja.

“Është vlerësim yni që nëpër komuna ka mungesë të kapaciteteve, sidomos në trashëgimi dhe ky kolegjium është hapi i parë i cili do të ndikojë në caktimin e prioriteteve për të ardhmen dhe do të sigurohen informatat e nevojshme për kërkesat e nevojshme që kanë komunat”, tha Dumoshi, duke potencuar faktin se MKRS është e gatshme të marrë pjesë në këto takime të kolegjiumit.

Ndërkaq, Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK-së, sipas komunikatës ka vlerësuar mbështetjen e ministrisë për kolegjiumin.

“Përmes këtij mekanizmi të themeluar mbrohen interesat e komunave në rend të parë në fushat e kulturës, rinisë, sportit, trashëgimisë e të drejtës së autorit. Mundësohet identifikimi për trajnime dhe ngritje të kapaciteteve komunale në këto fusha dhe organizimi i takimeve të rregullta”, citohet të ketë thënë Ibrahimi.

Foto: MKRS