Takimi i Kurtit me ambasadorin e SHBA-së, Foto: ZKM

Hovenier: Çështja e asociacionit urgjencë për qeverinë, duam të jetë brenda Kushtetutës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin se Kosova duhet urgjentisht të marrë hapa drejtë themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Hovenier pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se SHBA dëshiron që asociacioni të mos e shkel Kushtetutën dhe të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne besojmë që Qeveria e Kosovës e ka urgjente që të lëvizë përpara me negociatat dhe vendosjen për asociacionin, është qëndrim i joni… Këshillë e jona vazhdimisht ka qenë, vendosni idetë në tavolinë, ta dimë se çfarë vizioni ka. Ne duam që ky proces të ecë përpara” – tha ambasadori Hovenier pas takimit me Kurtin.

“Ne nuk duam që Asociacioni të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës ose vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne e kemi bërë versionin tonë të qartë. Por është e rëndësishme që edhe Kosova t’i vë idetë e saja në tavolinë”, theksoi ai.

Përveç kësaj, diplomati amerikan ka kërkuar edhe zbatim të pikave të tjera të marrëveshjes së Ohrit të dakorduar më 18 mars.

“Unë ia përcjella një mesazh që ai e ka dëgjuar nga ne shumë herë për rëndësinë e ecjes përpara me asociacionin e komunave me shumicë serbe, poashtu kemi biseduar edhe për rëndësinë e implementimit të plotë të të gjitha elementeve të marrëveshjes së Ohrit”-tha ai.

Më 2 maj në Bruksel është mbajtur një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Qeveria ka prezantuar një version të tyre për draftin e statutit të asociacionit.

Bashkimi Evropian por edhe SHBA-të vazhdimisht i kanë bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës që ta zbatoj marrëveshjen për asoacacionin e Komunave me Shumicë Serbe.