Mjeku australian operon 25 fëmijë në QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po operohen 25 fëmijë me probleme të lindura.

Sipas komunikatës së QKUK-së këta fëmijë pritet të operohen edhe gjatë fundjavës.

Këta fëmijë do t’i operojnë mjeku australian Paddy Dewan, dhe do t’i kryejë këto operime me asistimin e kirurgëve kosovarë.

“Mjeku i njohur australian, Paddy Dewan, po qëndron këto ditë në Kosovë dhe me asistimin e kirurgëve kosovarë, po kryen intervenime te fëmijët me probleme të lindura, në Kirurgjinë Pediatrike. Sipas planit operativ, deri në fundjavë pritet të operohen 25 fëmijë, pa pasur nevojë për trajtim jashtë vendit, të cilët do t’i kushtonin financiarisht shtrenjtë buxhetit të shtetit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Sipas QKUK-së, Dewan ka qëndruar në Prishtinë për të dymbëdhjetën herë dhe në mënyrë vullnetare ka kryer operacione në QKUK, nga të cilat kanë përfituar fëmijët kosovarë, por edhe kirurgët pediatrik, që kanë pasur mundësinë të mësojnë rreth aplikimit të metodave të fundit kirurgjike.