
Klasa mësimore, ilustrim
Mitrovicë e Jugut, pretendime se një nxënëse është therur me thikë, në Polici nuk është iniciuar një rast i tillë
Një nxënëse po pretendohet se është therur me thikë më 17.03.2025 në një shkollë të Mitrovicës së Jugut.
Përderisa rasti është pohuar nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Policia tha se në stacionin policor nuk është iniciuar një rast i tillë.
Në një prononcim për KALLXO.com, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Drita Kadriu, ka thënë se rasti ka ndodhur në Shkollën fillore të mesme të ulët “Nonda Bulka”. Ajo nuk tregoi për natyrën e lëndimeve të nxënëses.
Drejtoresha Kadriu foli edhe për masën që pritet të merret ndaj nxënësit që dyshohet se e ka shkaktuar këtë incident.
“Po e presim raportin nga shkolla dhe masat pas konsultimeve edhe me Inspektoratin e Arsimit do të jenë sipas legjislacionit në fuqi, e i cili ka mangësi të mëdha, p.sh. delikuenca dhe sjelljet e tilla përfundojnë më së shumti me ndërrim shkolle”- tha Kadriu për KALLXO.com.
Në këtë shkollë, sipas drejtoreshës, një kontroll ka ndodhur të premten e kaluar, më 14.03.2025.
“Gjithashtu me Policinë e Kosovës kemi bashkëpunime, ku Policia mbajnë ligjërata me tema të ndryshme të sigurisë (rrjetet sociale, narkotikët, trafikimi i qenieve njerëzore, siguria në trafik, etj.)”- shtoi drejtoresha e Arsimit.
Kadriu tha se për më shumë detaje DKA në Mitrovicë të Jugut do të dalë me një njoftim për media.
Në anën tjetër, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut thonë se nuk është iniciuar një rast i tillë.
“Deri në këto momente në SP Jugu në Mitrovicë, nuk ka rast të iniciuar për hetim me elemente te veprës që ju keni potencuar”- thuhet në përgjigjen e Policisë.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Inspektoratin e Arsimit dhe është në pritje të përgjigjes.